Shqipëria

Me fjalët e Joker-it, Rama thumbon Basha-Berishën: Humbësi kronik i selisë dhe personazhi pa seli i listës së zezë, Varu teneqen!


Referencat e kryeministrit Edi Rama me vargje filozofike apo edhe filozoli kinematografike, nuk kanë fund për duelin midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, për kreun e Partisë Demokratike.

“Kur shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz!”.

Kështu e nis kryeministri Rama postimin e tij në Twitter.

Ndërsa, vijimin, ai zgjedh ta plotësojë me një shprehje të famshme nga filmi “Joker”.

Duke i bërë thirrje njerëzve t’i lënë të dy në fatet e parashkruara, Bashës ai i drejtohet si humbës kronik i selisë blu. Ndërsa, Berishës, si personazh pa seli të listës së zezë (asaj amerikane).

Ramës, të dy personazhet politike, i kujtojnë fjalët e Arthur Fleck, në filmin “Joker”.

“Skam asgjë për të humbur. Asgjë s’më dhemb dot më. Tashmë jeta ime është thjesht një komedi!”.

“Sa u shkon ai llafi…Varu teneqet!”, përmbyll Rama postimin.

Por, në fakt, Arthur Fleck, nuk është një personazh i zakonshëm.

Skizofrenia e psikopatia e tij në film, janë të tejskajshme në hapësira të caktuara kohore.

Nëse Rama kërkon të shprehë edhe këtë gjë nëpërmjet postimit, kjo është e paditur.

Por, e sigurt, është se si Berisha-Basha, si Rama, vijojnë të shtrojnë akuza ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht protagonizmit ose jo politik të secilit në këtë betejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore