Lajme

“Më cilësor” dhe “më transparent” do të jetë procesi i ri për specializantët


Foto: Ministria e Shëndetësisë.

Si çdo vit edhe ky vit i kishte gjetur specializantët shpesh herë në protesta për kushte më të mira, por sipas ministrisë së Shëndetësisë procesi që aktualisht po e nisin me mbi 300 specializantë do të jetë më “cilësor” dhe më “transparent”.

Përmes një komunikate për media nga ministria e Shëndetësisë, është thënë se ky proces është organizuar mbi bazën e tri parimeve profesionale.

“Për herë të parë ky proces është organizuar mbi bazën e tre parimeve profesionale: Kuadri defecitar, kapacitetet mentoriale dhe kapacitetet infrastrukturore. Veç këtyre parimeve, gjithashtu për të parën herë specializantët janë përzgjedhur në bazë të përgaditjes individuale dhe kualifikimeve e jo në bazë të metodës së testimit”.

Nga MSH-ja është thënë se kriteri më themeltar në këtë proces ka qenë ai i meritokracisë.

“Me bindje të thellë konsiderojmë se ky është procesi më cilësor dhe më transparent që kishim deri më sot. Pra, kriteri themeltar ishte kriteri i meritokracisë”.

“Në këtë takim specializantët janë pajisur me ditarin e specializantit. Ditar ky i cili do shërbej për rritjen e cilësisë gjatë shkollimit specialistik dhe do ta rrisë llogaridhënjën”, thuhet në komunikatë.

Më 10 tetor, një grup i specializantëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kishin protestuar para ministrisë së Shëndetësisë për mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave, po ashtu për detyrim të pagesës për vitin e shkollimit specialistik.

Nga specializantët është paralajmëruar se protesta do të vazhdojë çdo deri, derisa të marrin përgjigje pozitive nga ministria.

“Ministria ka marrë disa vendime të cilat janë duke shkuar në disfavorin tonë. Sot, specializantët në bazë të vendimit që është marrë në qershor të këtij viti detyrohen të paguajnë 500 euro për shkollim specialistik 5-vjeçar”, kishte thënë kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi.

Ai kishte sqaruar se kërkesat e tyre i kanë parashtruar me shkrim ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, por që s’ka ndonjë përgjigje konkrete.

Protesta të ngjashme nga stafi shëndetësor kanë qenë të vazhdueshme, gjithmonë është kërkuar rritje e pagës mirëpo që ministria e Shëndetësisë asnjëherë deri tani s’ka vepruar me diçka konkrete.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore