Lajme

Specializantët kërkojnë pagesën e kujdestarive – paralajmërojnë bojkot të punës


Protesta e specializanteve.

Një grup i specializantëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë protestuar para ministrisë së Shëndetësisë për mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave, po ashtu për detyrim të pagesës për vitin e shkollimit specialistik.

Nga specializantët është paralajmëruar se protesta do të vazhdojë çdo deri, derisa të marrin përgjigje pozitive nga ministria.

“Ministria ka marrë disa vendime të cilat janë duke shkuar në disfavorin tonë. Sot, specializantët në bazë të vendimit që është marrë në qershor të këtij viti detyrohen të paguajnë 500 euro për shkollim specialistik 5-vjeçar”, ka thënë kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi.

Ai ka thënë se kërkesat e tyre i kanë parashtruar me shkrim ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, por që s’ka ndonjë përgjigje konkrete.

“Në ndërkohë ne po mendojmë që protestat të jenë çdo ditore nga kjo ditë deri të premten, e nëse nuk plotësohen atëherë do të radikalizojmë masat tona”.

Protesta e specializanteve para ministrisë së Shëndetësisë në maj të 2022.

“Ne kemi bërë më herët protesta, kjo nuk është diçka rastësi për shkak që ne kemi bërë edhe kërkesa në norma të shkruara dhe kemi pasur takime në 13 korrik të këtij viti këtu”.

Edhe specializantja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), u shpreh se kujdestaria 24 orësh e specializantëve, s’është duke u paguar me asnjë pagesë shtesë.

“Duke filluar nga kushtet e punës në klinikat e Kosovës që janë jashtëzakonisht të rënda, shtoja dhe kësaj faktin që ne nuk paguhemi për punën që e kryejmë. Nuk jemi duke kërkuar diçka më shumë së sa na takon, ne fillojmë punën në orën 07:00 në mëngjes e përfundojmë ditën tjetër në 07:00 në mëngjes, është një kujdestari 24 orësh e cila paguhet në fund zero euro”, tha Bytyçi para gazetarëve.

Protesta të ngjashme nga stafi shëndetësor kanë qenë të vazhdueshme, gjithmonë është kërkuar rritje e pagës mirëpo që ministria e Shëndetësisë asnjëherë deri tani s’ka vepruar me diçka konkrete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore