Lajme

“Me bombardimin e Beogradit amerikanët nxorën xhindin nga shishja” – Vladimir Putin intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson


Në një intervistë të gjatë dhe të rrallë të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me gazetarin e njohur amerikan, Tucker Carlson, Putin ka folur në një pjesë edhe për luftën në Kosovë, duke thënë se intervenimi i NATO-s dhe bombardimi i Beogradit ishte momenti kur amerikanët “nxorën xhindin nga shishja”.

Në një “leksion” të gjatë historie, Putin u mundua të argumentojë se si Rusia deshi t’i afrohej perëndimit dhe bëri hapa para, por nuk u mirëprit. Gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepruan kokë në vete duke shkelur ligjet ndërkombëtare për ta bombarduar Serbinë, ku për Putinin për herë të parë u bë e qartë që ligji ndërkombëtar po shihet nga amerikanët si diçka i tejkaluar.

“A ju kujtohen zhvillimet në Jugosllavi. Boris Jelcin (presidenti rus) ngriti zërin në mbështetje të serbëve. E kuptoj se ishin procese komplekse që ndodhnin atje. Serbët janë për ne popull special dhe i afërt me kulturë ortodokse. Është një komb që ka vuajtur kaq shumë për gjenerata me radhë. Nejse, çfarë është e rëndësishme, është që Jelcin dha përkrahjen e tij, por çfarë bënë SHBA-të? Në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bombarduan Beogradin. Ishin SHBA-të që nxorën xhindin nga shishja”, deklaroi Putin.

“Për më shumë, kur Rusia e protestoi këtë veprim dhe shprehu pakënaqësinë e vet na u tha që ligji ndërkombëtar dhe karta e OKB-së janë të pavlefshme. Tani të gjithë thirren në ligjin ndërkombëtar. Por, në atë kohë filluan të thonë se gjithçka është si jashtë mode, e vjetërsuar”, vazhdonte Putini rrëfimin e tij.

“Jelcini u përqesh, u akuzua për pijanec që nuk kuptonte gjë, nuk dinte gjë. Ai, iu siguroi, kuptonte gjithçka”, foli Putin për paraardhësin e tij.

“Unë u bëra president në vitin 2000. Thash, okej, çështja e Jugosllavisë ka marrë fund. Duhet t’i përmirësojmë raportet. Le ta hapim derën nëpër të cilën Rusia ka provuar të futet tash e sa kohë. Në një takim këtu në Kremlin, me atëherë presidentin Bill Clinton, i thash, e pyeta: ‘Bill a mendon që nëse Rusia kërkon të futet në NATO, do të ndodhë diçka e tillë?’ Njëherë më tha ‘a e di si, është interesante kjo, mendoj se po’. Por, në mbrëmje, kur u takuam për darkë, më tha ‘a e di si, kam folur me ekipin tim dhe jo, nuk është e mundur tani’. Pyeteni vetë Clintonin, besoj do ta shikojë intervistën tonë dhe do ta konfirmojë këtë që po e them”.

Refuzimi i perëndimit për Rusinë, sipas Putinit, u pa qartë që nga viti 1991, kur Rusia vullnetarisht bënte përpjekje për miqësi të shtuar.

Gjithashtu, ai akuzoi SHBA-të se mashtruan kur njëherë premtuan rusët se NATO nuk do zgjerohej në drejtim të tyre e ajo ndodhi pesë herë.

“Pas vitit 1991 kur Rusia besoi se do të jetë e mirëpritur në vëllazërinë e civilizimit perëndimor nuk ndodhi fare ashtu. Na mashtruat. Premtimi ishte se NATO nuk do zgjerohej në lindje, por ndodhi 5 herë. Kishte 5 valë të zgjerimit. Ne e toleruam, u munduam t’iu themi ‘ju lutem mos. Tash jemi si ju, jemi borgjez po aq sa ju. Jemi ekonomi e tregut, s’ka më parti komuniste, le të bisedojmë’. Jelcin pati ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju kujtohet? Ai pati folur edhe në Kongres dhe tha fjalë të mira: ‘Zoti e bekoftë Amerikën’. Krejt çfarë fliste ai ishin sinjale: na lërni të hyjmë edhe ne”.

Putin gjatë intervistës u mundua të paraqes rastin që Ukraina është një shtet artificial dhe një pjesë e mirë e tokave të Ukrainës në fakt janë të Rusisë dhe vetë ukrainasit janë rusë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore