Lajme

Me 33 vota për shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës


Pëllumb Bajqinovci

Kuvendi Komunal i Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme të martën, ka shkruar nga posti kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.

Votimi ishte i fshehtë ndërsa nga 33 asamblistë që morën pjesë në votimin e fshehtë, të gjitha votat ishin pro shkarkimit të Bajqinovcit.

Në votim morën pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.

Ndërsa, asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë lëshuar sallën para se të niste votimi.

Para votimit, kryetari Përparim Rama, akuzoi asamblistët për “rrëmbim të pushtetit”. Bashkë me Bajçinovcin, pas fjalimit e para votimit, lëshuan sallën.

“Kjo është politika juaj me i ndalu projektet. Tani kur Rruga A po përfundon me kohë rekorde, ndërtimi i gjashtë shkolla dhe çerdheve. Tani kur unaza e qytetit është në proces. Ndodhemi në një pikë udhëkryqi në kryeqytet. Kjo është tentativë për të rrëmbyer pushtetin. Po tentohet të bllokohet kryeqyteti”, ka thënë Rama.

Shkarkimi i Bajqinovcit u iniciua nga Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se ky shkarkim është hapi i parë dhe i domosdoshëm për zhbllokimin e Kuvendit, i cili, sipas tyre, tash e më shumë se dy muaj nuk ka mbajt asnjë mbledhje të rregullt dhe është tërësisht jo funksional.

“Si grupi më i madh i këshilltarëve komunal dhe si partia më e madhe në Kryeqytet, ndjejmë obligim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që na kanë besuar përfaqësimin. Në këtë drejtim dhe për këtë qëllim është edhe kjo iniciativë për funksionalizimin e Kuvendit në mënyrë që ky institucion të aktivizohet dhe ta kryej punën e vet në shërbim të qytetarëve e për të mirën e përgjithshme të qytetit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje pas shkarkimit.

Votimi për shkarkimin e tij vjen pas prishjes së koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së në kryeqytet.

Prishja e koalicionit në Prishtinë erdhi pasi asamblistët e PDK-së votuan për anulimin e vendimit për shkëmbim e disa pronave komunale.

Paraprakisht, Rama shkarkoi disa drejtorë të PDK-së.

Bajçinovci ishte zgjedhur kryesues në një mbledhje më 27 qershor, pas shkarkimit të Fehmi Kupinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore