Lajme

Mbyllja e porteve jugore të Ukrainës mund të shkaktojë katastrofë globale ushqimore


Mbyllja e porteve të Ukrainës në Detin e Zi mund të provokojë një fatkeqësi globale ushqimore.

Paralajmërimi vjen nga Drejtori Ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley, shkruan “The New York Times”.

Publikimi amerikan shpjegoi se objektet e magazinimit në Ukrainë janë të stërmbushura me drithëra.

Rezervat ndihmojnë për të ushqyer 400 milionë njerëz në mbarë botën në një vit.

Sidoqoftë, lufta në shkallë të gjerë e Federatës Ruse kundër Ukrainës ka ndërprerë zinxhirin e furnizimit.

Portet nuk mund të funksionojnë normalisht për shkak të afërsisë së armiqësive.

“Nëse e hiqni atë nga tregu, do filloni të kuptoni se një stuhi e madhe po vjen drejt nesh”, u shpreh fillimisht Beasley.

Sipas tij, çelësi i furnizimeve është qasja në portet e Odessa-s, Chernomorsk-ut, Yuzhny-t dhe Nikolaev-it, të cilat mund të mbyllen për shkak të ofensivës së pritshme të ushtrisë ruse.

Drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së iu drejtua Kremlinit me telefon dhe me shkrim, duke shprehur shqetësimet e tij, por palët “nuk kanë arritur asnjë proces”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se për shkak të ndikimit të kombinuar të luftërave, thatësirave dhe pandemisë COVID-19, rreth 45 milionë njerëz në 38 vende mund të përballen me urinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore