Lajme

Mbyllet hetimi për vrasjen e Emmett Till, mungesë provash


Një hetim federal, që ka rishqyrtuar vrasjen e Emmett Till, është mbyllur pasi Departamenti i Drejtësisë nuk arriti të gjente prova nëse dëshmitarja kryesore ka gënjyer.

Kështu ka bërë me dije një zyrtar i nivelit të lartë të zbatimit të ligjit, raporton faqja “NBC News Digital”.

Till-i ishte një adoleshent me ngjyrë nga Chicago, i cili u rrah brutalisht dhe u qëllua në kokë në vitin 1955, pasi një grua e bardhë, Carolyn Bryant Donham, ka pohuar se ai i fishkëlleu dhe e preku në një dyqan të Mississippi-t.

Ai ishte veç 14 vjeç në kohën kur u vra.

J.W. Milam dhe Roy Bryant, bashkëshorti i Donham-it në atë kohë, u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Till-it nga një juri burrash të bardhë, e cila diskutoi për pak më shumë se një orë përpara vendimit.

Të dy burrat, të cilët kanë vdekur, i kanë treguar një gazetari se ishin ata që e kryen krimin, duke ofruar një përshkrim të detajuar të vrasjes së tmerrshme.

Ka qenë Deborah Watts, kushërira e Till-it, e cila ka zbuluar në vitin 2017 se hetuesit po hetonin nëse Donham-i kishte gënjyer për incidentin.

Kurse në vitin 2004 u hap një hetim i mëparshëm federal dhe një hetim i jurisë së madhe nuk zgjidhi gjë, pasi prokurorët vunë në dukje se statuti i kufizimeve për akuzat penale kishte kaluar.

Më pas, Donham është raportuar se i ka rrëfyer historinë e saj autorit Timothy B. Tyson, duke i thënë se ajo gënjeu për incidentin.

“Asgjë që bëri ai djalë nuk mund të justifikonte kurrë atë që i ndodhi”, i ka thënë ajo Tyson-it, teksa përshkruante “dhimbjen” e saj për nënën e Till-it.

Mirëpo, u mohoi hetuesve federalë se kishte gënjyer në dëshminë e saj, sipas një burimi me njohuri për rastin dhe kishte mospërputhje me deklaratat e bëra nga Tyson-i.

Burimi ka shtuar se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë planifikojnë të lëshojnë një njoftim pasi të informojnë familjen e djalit në Chicago.

Ndërkaq, Tyson-i i qëndroi raportimit të tij, duke e përshkruar Donham-in si jo të besueshme në një deklaratë të dërguar me email.

Ai ka treguar se intervista me të nuk zbuloi asgjë të re, sepse “ne e kemi ditur prej kohësh që ajo po gënjen”.

Ai ka ravijëzuar se libri i tij përfshinte edhe dhjetëra faqe prova të dokumentuara, duke përfshirë provat që mblodhi FBI-ja kur rihapi çështjen në vitin 2004.

“Le t’i shikojmë provat sikur të mos kisha folur kurrë me Carolyn-ën”, ka thënë ai.

Vrasja e Till-it e tronditi kombin, duke shërbyer si një katalizator për lëvizjen mbi të drejtat civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore