Shqipëria

Mbrojtja e pronësisë intelektuale për produktet “Made in Albania”


Elsa Balza, administratore e kompanisë kozmetike “Beba Cosmetics”, thotë që nevoja për regjistrimin e markës kombëtare “ka ardhur si domosdoshmëri”. Kjo, sepse “duke pasur parasysh eksperiencën shumëvjeçare në treg, lindi nevoja për të qenë më të sigurt”.

Regjistrimi i markës kombëtare bëhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), e cila garanton mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale (PI), siç janë patentat për shpikjet, modelet e përdorimit, markat, dizajnët industriale, treguesit gjeografikë, emërtimet e origjinës dhe topografitë e produkteve gjysmëpërçues.

Pronësia industriale, së bashku me të drejtat që ka autori apo ideatori, krijojnë atë që quhet “pronësia intelektuale”.

Rëndësia e regjistrimit të pronësisë industriale

Ledina Beqiraj, drejtore e përgjithshme e DPPI-së, për Albanian Post tregon se sa i rëndësishëm është regjistrimi i PI-së.

Sipas saj, mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale i “sjell dobi të madhe shoqërisë shqiptare”, si dhe “ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të saj”.

DPPI-ja, vijon drejtoresha, inkurajon shpikjet dhe krijimtarinë e mendjes njerëzore. Prandaj, edhe mbrojtja dhe unifikimi i tyre në treg është shumë i rëndësishëm.

“Në mbarë botën po i kushtohet një vëmendje tepër e veçantë kësaj nisme”.

Sonila Meka, përgjegjëse sektori te sektori i Koordinimit, Trajnimit dhe Analizës pranë DPPI-së, shpjegon se, përveç ndikimit ekonomik, PI shërben edhe si një mjet komunikimi mes prodhuesve dhe konsumatorëve.

“Ajo transmeton mesazhin mbi cilësinë dhe origjinën e produkteve, arritjet e reja teknologjike, trendin dhe modën e fundit, duke nxitur konkurrencën për inovacion”.

Aktivitetet e DPPI-së

Në Shqipëri, DPPI-ja kryen administrimin e regjistrave të PI-ve, si dhe promovon bizneset apo idetë, të cilat janë të regjistruara pranë këtij institucioni.

Specialistja e marrëdhënieve me jashtë dhe publikun, Uendi Bushati, shpjegon se drejtoria funksionon nëpërmjet një kalendari, sipas të cilit parashikohen të preken të gjitha qytetet e Shqipërisë. Kjo, bëhet me qëllim “informimin e çdo pronari biznesi apo të interesuari lidhur me objektet e PI-së”.

“Promovimin, përgjithësisht ne zgjedhim ta bëjmë derë më derë”, thotë Bushati.

Në vijim ajo thekson se “me anë të kësaj metode, ne përpiqemi të japim shembuj konkret suksesi apo të shpjegojmë sa të mbrojtur janë objektet e PI-së kundrejt vjedhjes apo përdorimit të ideve, emrave apo logove”.

“Regjistrimi i markës kombëtare dhe mbrojtja e Pronësisë Industriale në Republikën e Shqipërisë na ka mundësuar të jemi unikë në treg”, ka thënë Rona Nushi, pronarja e biznesit bio-kozmetik “Bees & Trees”.

Shqipëria është anëtare me drejta të plota në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO).

Ashtu si të gjitha shtetet anëtare, edhe Shqipëria e feston 26 prillin si Dita Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale.

Kjo ditë, shpjegon Beqiraj, “ofron një mundësi unike për t’u bashkuar me të tjerët rreth globit për të marrë në konsideratë se si pronësia intelektuale kontribuon në nxitjen e inovacionit dhe është një shtyllë shumë e fortë e ekonomisë së një vendi”.

Këtë vit, WIPO ka zgjedhur që datën 26 prill ta festojë me sloganin: “Pronësia Intelektuale dhe Biznesi”.

“Ky slogan tregon qasjen se një sistem pronësie intelektuale, i ekuilibruar dhe i fortë, mund të mbështesë biznesin, duke marrë parasysh dhe ndikimin shumë të madh që i dha pandemia globale”, deklaroi drejtoresha e DPPI-së për Albanian Post.

Biznesi në Shqipëri dhe regjistrimi i objekteve të Pronësisë Industriale

Beqiraj pohon se ekziston një vullnet i shprehur qartë nga qeveria shqiptare për sa i përket mbrojtës së të drejtave të pronësisë intelektuale. Kjo mbrojtje, thekson drejtoresha, garantohet në të njëjtin nivel si në të gjitha vendet e zhvilluara të botës.

“Bazuar në këtë fakt, rezultatet e çdo viti tregojnë ndërgjegjësimin e biznesit vendas, por edhe kompanive të huaja, mbi regjistrimin e objekteve të PI-së”, thekson ajo.

Gjatë vitit të kaluar, u dorëzuan 1 mijë e 115 certifikata, që dëshmojnë që objekti i kalon të gjitha filtrat për t’u mbrojtur si pronësi industriale, vijon ajo.

“Patëm rritje në aplikimet kombëtare për patenta shpikjesh. Nga 6 aplikime në vitin 2019, në 12 të tilla për vitin 2020”.

Bushati tregon se nuk janë vetëm bizneset vendase që regjistrojnë markën e tyre, por edhe kompanitë e huaja, të cilat, me anë përfaqësuesve të autorizuar, marrin shërbime pranë DPPI-së.

Gjithashtu, shton ajo, dyqani i bizhuterive “Something” i hapur për herë të parë në Shqipëri, pasi ka marrë certifikatën tek institucionet shqiptare, ka aplikuar edhe për mbrojtje ndërkombëtare të PI-së.

“Me anë të aplikimit për markë tregtare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndihem më e sigurt në treg”, përmbyll Ester Nuriu, ideatorja dhe pronarja e dyqanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore