Shqipëria

Mbrojtja e konsumatorit: ISHMT vendos masa administrative për 5 subjekte


Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), në vijim të monitorimit të tregut për garantimin e të drejtave të konsumatorëve, ka penalizuar pesë subjekte.

Pas kontrolleve të ushtruara kryesisht në zinxhirët e marketeve, në qytetet kryesore të vendit, si dhe përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra në Sarandë, trupat inspektuese gjetën pesë subjekte në shkelje.

ISHMT vendosi tre masa administrative për mospërputhje të sasisë në etiketën e produktit, me sasinë e përshkruar në etiketën e ekspozuar të produktit në raft.

Sakaq, ndaj secilit subjekt u vendos masë administrative prej 200 mijë lekë.

U vendos edhe masë administrative ndaj një subjekti, pasi pas inspektimit ju gjet në përdorim instrument matës i paverifikuar. Ndaj tij u vendos masë administrative prej 20 mijë lekë.

Po ashtu u vendos masë administrative prej 500 mijë lekësh ndaj një tjetër subjekti që ju gjetën në përdorim qese plastike mbajtëse me trashësi më të hollë se 70 mikron.

Kështu, ISHMT u bën thirrje operatorëve ekonomikë të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe ai “Për metrologjinë”.

Në bazë të tyre, “subjektet prodhuese dhe ato tregtuese duhet të afishojnë në mënyrë të dukshme dhe të saktë çmimin për njësi ose sasinë e dhënë të tij që është çmimi përfundimtar, përfshirë të gjitha taksat dhe TVSH-në”.

Dhe se nuk mund të përdorin instrument matës të paverifikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore