Lajme

Mbretëria e Bashkuar i shmanget përcaktimit të Gardës Revolucionare të Iranit si grup terrorist


Mbretëria e Bashkuar ka refuzuar thirrjet për ta përcaktuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) si një grup terrorist.

E gjitha në favor të zgjerimit të kritereve me të cilat mbështetësit dhe kompanitë mund të vihen nën sanksione.

Për herë të parë, regjistri i ri i sanksioneve do të lejojë ministrat të sanksionojnë individë për aktivitetet e tyre brenda MB-së, dhe jo vetëm në Iran.

Njoftimi i bërë nga sekretari i jashtëm, James Cleverly, zgjidh një debat të gjatë të qeverisë nëse IRGC, një organ shtetëror iranian, duhet të ndalohet me arsyetimin se ka ndërmarrë aktivitete terroriste në MB.

IRGC, Forca e Rezistencës Basij, ‘policia e moralit’ dhe komandanti i Basijit Gholamreza Soleimani janë vendosur tashmë nën sanksione.

Mirëpo, ndalimi do ta kishte bërë vepër penale në MB përkatësinë në grup, financimin ose shprehjen e mbështetjes për aktivitete të tij.

Do ta kishte etiketuar në mënyrë efektive të gjithë regjimin e Teheranit si një grup terrorist pasi IRGC është qendrore në strukturën ushtarake iraniane.

Ministria e Jashtme ka bërë me dije sakaq se po zgjeron kriteret e sanksioneve sepse “Irani ka rritur përpjekjet për të vrarë ose rrëmbyer individë që perceptohen si armiq të regjimit jashtë Iranit, përfshirë në MB”.

Dhe se “që nga fillimi i vitit 2022, MB i është përgjigjur më shumë se 15 kërcënimeve të besueshme për të vrarë ose rrëmbyer individë britanikë ose me bazë në MB nga regjimi iranian”.

Ka pasur pretendime për komplote për të vrarë gazetarët nga Iran International, me bazë më parë në Londër, kanali satelitor i mbështetur nga Arabia Saudite që transmetonte në Iran.

“Regjimi ka bërë thirrje publike për vrasjen ose kapjen e këtyre individëve dhe në disa raste ka ndaluar dhe ngacmuar familjet e individit në Iran. Shërbimet e inteligjencës iraniane kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta me bandat e organizuara kriminale në MB dhe në të gjithë Evropën për të zgjeruar aftësitë e rrjeteve të saj”, ka shtuar ministria.

Ndërkohë, refuzimi për të ndaluar IRGC-në ka të ngjarë të çojë në kritika të mprehta politike.

Partia Laburiste kishte bërë thirrje për ndalim sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2000, ose nëse ishte e nevojshme përmes një amendamenti për të bërë të mundur ndalimin e një organizate shtetërore.

Në prill, 125 deputetë, duke përfshirë më shumë se 90 konservatorë, kishin kërkuar që IRGC të ndalohej si një organizatë terroriste.

Por ministria ka bërë me dije se pas protestave të fundit në rrugë iraniane, vendi ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 70 individëve dhe subjekteve për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë më shumë se 29 individë ose entitete të lidhura me IRGC.

Po ashtu po shton 13 emra të tjerë në listë.

Në total, më shumë se 350 subjekte dhe individë iranianë janë subjekt i sanksioneve të MB-së.

Kritikët pretendojnë se sanksionet luajnë një rol gjithnjë e më performues pasi shumica e atyre që janë në shënjestër nuk kanë asete në MB, ose ndonjë qëllim për të ardhur në vend.

Sipas kritereve të zgjeruara, individët dhe subjektet do t’i nënshtrohen sanksioneve në lidhje me aktivitetet e regjimit iranian nëse ato minojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe ndërkombëtarisht.

Sanksionet do të jenë gjithashtu të disponueshme në lidhje me “përdorimin dhe përhapjen e armëve ose teknologjive të armëve nga Irani; për minimin e demokracisë, respektimin e shtetit ligjor dhe qeverisjen e mirë; duke ndërmarrë aktivitete armiqësore ndaj Britanisë së Madhe dhe partnerëve tanë që burojnë nga regjimi iranian, duke përfshirë kërcënimet ndaj njerëzve, pronës ose sigurisë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore