Lajme

Mbretëria e Bashkuar drejt Partneritetit Trans-Paqësor


Liz Truss

Mbretëria e Bashkuar (MB), do të aplikojë zyrtarisht për t’u bashkuar me bllokun tregtar Trans-Paqësor (TPP).

Sipas deklaratës së qeverisë britanike, bashkimi me TPP-në do të ulë tarifat për ushqimin, pijet dhe makinat. Ajo do të ndihmojë dhe në rritjen e sektorëve të teknologjisë dhe shërbimeve.

Në këtë partneritet bëjnë pjesë 11 vende dhe aplikohet heqja e tarifave të eksportit në shumicën e rasteve.

Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss, është e vendosur të flasë me zyrtarët në Japoni dhe Zelandën e Re, për të bërë zyrtarisht kërkesën. Japonia dhe Zelanda e Re, janë dy vendet që kanë marrë nismën për krijimin e TPP-së.

“Një vit pas largimit tonë nga BE-ja, ne po krijojmë partneritete të reja që do të sjellin përfitime të mëdha ekonomike për popullin e Britanisë”, tha kryeministri, Boris Johnson, në një deklaratë.

Qëllimi i MB-së për t’u bashkuar është përfitimi i tarifave më të ulëta për ekonominë britanike. Qeveria thotë se partneriteti heq tarifat për 95% të mallrave të tregtuara midis anëtarëve.

Emily Thornberry, sekretare e tregtisë ndërkombëtare, kritikoi atë që ajo e quajti “mungesë transparence” rreth lëvizjes për t’u bashkuar me TPP-në.

Pas pesë vitesh debat në lidhje me marrëveshjet tregtare të Brexit, ajo tha se njerëzit do të vinin në dyshim vendimin e qeverisë britanike “për nxitimin që të bashkohet me një tjetër bllok, pa ndonjë konsultim publik”.

Më herët MB-ja nënshkroi një marrëveshje në parim me Japoninë. Kjo synonte të rriste fitimet në tregti me rreth 15 miliardë paund.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë pjesë e marrëveshjes. Në ditët e para si president, Donald Trump, e nxori Amerikën nga TPP-ja. Kjo marrëveshje ishte e nënshkruar nga Barack Obama, në mandatin e tij të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore