Lajme

Mbi 80 infermierë punësohen në QKUK


Foto: Albanian Post.

Mbi 80 infermierë të rinjë nga e marta e 8 gushtit do të nisin punën në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“85 infermierë të rinj nga dita e nesërme do të fillojnë punën në klinika të ndryshme të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Punësimi i tyre do të zbusë pjesërisht mungesën e infermierëve në klinikat e QKUK-së”.

Ndërsa, është thënë se nënshkrimi i kontratave është bërë të hënën.

“Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, infermierëve i’u dëshiroi punë të mbarë, duke i  porositur ata, që në qendër të punës së tyre të kenë kujdesin ndaj pacientëve”.

“Nga 85 infermierët e pranuar së fundmi, 70 janë më kualifikim bachelor dhe 15 me shkollim të mesëm”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.

Përndryshe Kosova, vazhdimisht është ballafaquar me ikjen e mjekëve nga Kosova.

Që nga viti 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore