Shqipëria

Mbi 2 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në gusht


Shqipëria ka mirëpritur mbi dy milionë turistë të huaj gjatë muajit gusht.

Ky është lajmi i shpërndarë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili pret rezultate spektakolare edhe nga muaji shtator.

“Mirëmëngjesi dhe me shifrat zyrtare që tregojnë se Shqipëria mikpriti mbi 2 milionë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit gusht, teksa sezoni veror po vazhdon me flukse të larta edhe në shtator duke premtuar për një vit me rezultate spektakolare në turizëm, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan kreu i Qeverisë.

Referuar të dhënave të gjeneruara nga “Google”, Shqipëria renditet e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik.

“Edhe sipas të dhënave nga vetë Google, Shqipëria renditet e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tirana jonë e dyta që lë pas plot prej qyteteve të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm”, shkruante kryeministri Rama në Facebook.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se Shqipëria është vizituar nga 5.2 milionë të huaj në periudhën janar-korrik.

Gjatë shtatëmujorit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me rreth 5 milionë shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 131 mijë e 236 dhe 34 mijë e 721 shtetas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore