Lajme

Mbi 100 milionë euro buxhet ndan Komuna e Prishtinës për vitin 2024


Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, ka ndarë mbi 100 milionë euro për vitin 2024, 20 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar.

Ky vendim është miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, teksa lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Përparim Rama përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’. 

“Buxheti i Kryeqytetit i cili sapo u votua në Kuvend, për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Pra, rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar”.

“Buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës sime në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i TRANSFORMIMIT të Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se ka ndarë edhe mbi 40 milionë euro për investime kapitale e ku sërish është i përfshirë edhe spitali i Prishtinës.

“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen: Ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, spitali i Prishtinës, ndërtimi i Tunelit “Agim Ramadani”, ndërtimi i unazës qendër, salla e koncerteve, salla e madhe multifunksionale, revitalizimi i tullëtores”.

“Gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e thertores për kafshë”.

Cili është plani i Ramës për Prishtinën?

Përparim Rama në garën për zgjedhje lokale njërin ndër projektet kryesore e kishte pasur “ridefinimin e qendrës së qytetit”.

Ai kishte paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirë brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhej në programin e Ramës.

Ndërkaq, për asfaltin ka premtuar se do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Edhe për problemin e parkingut të veturave, Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë.

Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Por, përveç kësaj ai ka premtuar se do t’i ndërtojë vend-parkingjet në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, në të cilat distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Për sektorin e shëndetësisë, ai premtoi kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10 mijë banorë.

Prioritet kryesor e ka edhe sigurinë në trafik, që lidhet ngushtë me sigurinë e fëmijëve në rrugë.

Prishtina.

Brenda këtij mandati ai synon që të rritë nivelin e hapësirave të gjelbërta, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hekterëve të hapësirave të gjelbërta dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.

Në këtë program Rama, pohoi se mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët në Prishtinë.

Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër.

Po ashtu, Rama ka premtuar se do të ndërtojnë shkollën profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova”, si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Kryetari i ri i Prishtinës i sfiduar nga buxheti për realizimin e planprogramit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore