Boterori 2022

Mbappe foli për herë të parë para mediave: Nuk i kam injoruar gazetarët, por fokusi im është triumfi në Botëror


Kylian Mbappe ishte njeri u ndeshjes, duke qenë protagonist me dy gola në takimin që Franca e mposhti Poloninë me rezultat 3:1.

Ylli i PSG-së shënoi dy gola në këtë ndeshje, derisa pas saj foli për herë të parë para gazetarëve kur mori çmimin si lojtari më i mirë i këtij ballafaqimi.

Në fakt, 23-vjeçari ishte lejuar nga kombëtarja franceze mos të prononcohej në intervista në Katar – shkaku që gazetarët vazhdimisht e pyesnin për të ardhmen e tij se a do të vazhdojë në Paris apo do të transferohet në Real Madrid.

Ai tha që asnjëherë nuk ka pasur asgjë kundër gazetarëve, por fokusi i tij do të mbetet vetëm në Botëror me Francën.

“E di se ka pasur shumë pyetje se pse unë nuk kam folur. Nuk kam asgjë personale kundër gazetarëve ose kundër askujt”, tha fillimisht Mbappe.

“Kam nevojë për t’u përqendruar te kundërshtari dhe kur dua të përqendrohem në diçka, duhet ta bëj 100% dhe të mos harxhoj energji për asgjë tjetër”.

“Prandaj nuk doja të dilja përpara shtypit. Sigurisht që ky Botëror është një obsesion, është gara e ëndrrave të mia, jam me fat që e luaj. Jemi ende larg objektivit që i kemi vënë vetes dhe dua që të korrim vetëm fitore”, tha ylli francez.

Mbappe realizoi dy super-gola në ndeshjen ndaj Polonisë, derisa tani numëron pesë rrjeta në këtë Botëror.

Ndërkaq, ai parakaloi legjendën braziliane, Pele, me nëntë gola të shënuara në Kampionate Botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore