Shëndet

Maska ka përkeqsuar çrregullimin e belbëzimit tek fëmijët


Belbëzimi është një nga çrregullimet më të përhapura gjuhësore dhe muajt e fundit, gjendja e fëmijëve dhe të rinjve që vuajnë prej saj, është përkeqsuar edhe si pasojë e mbajtjes së maskës.

Sipas të dhënave nga qëndra sociale, “Psicodizione Onlus” (Torino, Itali),  së fundmi numri i fëmijëve që vuajnë nga çrregullimi i belbëzimit është rritur.

Izolimi dhe distancimi social  kanë ndërprerë marrëdhëniet shoqërore. Janë  zvogëluar hapësirat e jetës së fëmijëve dhe të rinjve të cilët belbëzojnë duke u përballur me vështirësi edhe më të mëdha, siç ka shpjeguar psikologia, Chiara Comastri gazetës italiane Corriere della Sera.

“Në mësimin Online ne jemi të ekspozuar ndaj të tjerëve kryesisht nëpërmjet gjuhës së folur. Përveç kësaj, ne mund ta shohim veten në video si në një pasqyrë dhe kështu vërejmë detaje tek vetja, që mbase nuk i kishim vërejtur kurrë dhe që na bëjnë të ndihemi më të pakëndshëm. Për këtë arsye shumë i ndjekin mësimet me kamerën të fikur. Izolimi brenda mureve të shtëpisë, nuk ndihmon në përmirësimin e fëmijëve që vuajnë nga ky çrregullim”, u shpreh ajo.

Maska është pengesë tjetër sepse zvogëlon pamjen e shprehjes së fytyrës dhe e bën më të vështirë komunikimin.

“Më fal, a mund ta përsërisësh”, janë këto fjalët që dëgjojmë shpesh në këtë kohë.

Kjo mënyrë nuk ndihmon aspak atë fëmijë që belbëzojnë pasi duhet të fillojë të thotë përsëri atë fjali, që ai kishte arritur të përfundonte pa probleme.

Pak flitet për belbëzimin sepse krijon siklet, ndaj është thelbësore të mos kesh turp sepse është e mundur të dalësh prej tij.

Mund të mësosh të kontrollosh, të heqësh mendimin nga bllokimi dhe nga ideja e ngutshme që s’të lë të shprehësh atë që është e qartë në kokë.

 “Ju duhet të punoni me emocionet tuaja, për shembull duke mësuar të shijoni fjalët dhe marrëdhënien me tjetrin, por mbi të gjitha të menaxhoni ankthin dhe ta shndërroni atë në avantazhin tuaj. E gjitha mund të kalohet me sukses nëse identifikon dhe modifikon modelet e sjelljes që krijojnë shqetësime dhe shkaktojnë bllokimin e të folurit”, përfundon Comastri për Corriere della Sera./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore