Lajme

MASHT: Të hënën nis mësimi


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të hënën e 3 tetorit fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë.

MASHT ka njoftuar se kishin bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, “por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK-u”.

“Të hënën, MASHT do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

“Drejtoritë komunale të arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës”.

Gjithashtu, nga kjo ministria kanë bërë të ditur se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit.

Të shtunën, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konkretisht kryetari i Këshillit të Grevistëve, Rrahman Jashari ka bërë të ditur në një konferencë për media se greva e përgjithshme e nisur më 25 gusht në arsim dhe administratë publike nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janarin e vitit 2023.

Pezullimi i grevës në fjalë, sipas Jasharajt ka ardhur pas votimit, pro apo kundër vazhdimi të grevës nga anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, i cili u mbajt të premten.

Ndryshe një ditë më parë Anëtarësia e SBASHK-ut ka pranuar propozimin për pezullimin e grevës në arsim, duke bërë të ditur se të hënën fillon mësimi.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88 për qind, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12 për qind”, ishte thënë në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore