Lajme

Masa anti-damping ndaj Serbisë – Pekoviç: Kosova kundër rregullave të tregtisë


Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviç

“As Beogradi nuk pati mundësinë të deklarojë dhe ofrojë argumentet e tij mbi masat anti-damping, siç parashikohet në nenin 22 të marrëveshjes CEFTA, as nuk u informuam për masat përmes mekanizmit CEFTA, por përmes mediave”.

Kështu ka thënë drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviç, pasi Kosova ka vendosur për masën anti-damping.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës “vepron kundër rregullave të tregtisë”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për masa anti-damping ndaj koncentratit për kafshë dhe shpezë, si dhe blloqeve me origjinë nga Serbia.

Më tetë tetor, Ministrja Rozeta Hajdari në një konferencë për media, ka thënë se vendimet vijnë si rezultat i dëmtimit të prodhuesve vendorë

“Departamenti i Tregtisë ka gjetur se çmimi i ulët ka ndikuar në rritjen e importit të blloqeve dhe se po ndikon në shtimin e importit të koncentratit, rrjedhimisht ka vërejtur se kjo situatë e dampingut dëmton drejtpërdrejt në vazhdimësi dhe çdo herë më shumë prodhuesit vendorë të këtyre produkteve”, theksoi Hajdari.

Ministrja Rozeta Hajdari

CEFTA-s, sipas ministres Hajdari i është bërë e ditur se është e papranueshme që Kosova të mos përfaqësohet nga autoritetet e saj, por me ndërmjetësimin e UNMIK-ut.

“Më 30 shtator përmes sekretariatit të CEFTA-s u kemi bërë të qartë shteteve anëtare se do të kundërshtojmë punën e mëtejme të organeve të CEFTA-s pa u adresuar kërkesa jonë për përfaqësim të duhur dhe pjesëmarrje e trajtim të barabartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore