Shqipëria

Margariti: Saga e ‘Banesës së Toptanasve’ merr fund me vendimin e shpronësimit


Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave për projekt-buxhetin e 2022-shit, tha se vendimi për shpronësimin e banesës së Toptanasve është aprovuar.

“Saga e Toptanasve merr fund. Ajo do të kalojë në projekt restaurimi dhe rijetëzimi. Ka vlera historike jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. Saga – edhe tragjike – merr tashmë fund me vendimin e shpronësimit”, u shpreh Margariti.

Në vijim, ajo sqaroi se hapësira do të jetë tërësisht në funksion të artit dhe kulturës.

“Historia e godinës lidhet me banesën karakteristike tiranase, si monument kulture i kategorisë së parë. Rijetësimi mund të përfshijë një hapësirë tjetër për librin, debati dhe dialogu. Jemi në tratativa edhe me qeverinë amerikane”, tha ministrja.

E pyetur mbi situatën e krijuar nga shembja e çadrës së Cirkut Kombëtar nga përmbaruesit, Margariti tha se janë parë disa aspekte ligjore përmbarimore, të cilat kishin hyrë në fazën finale.

“Po punojmë për një plan afatshkurtër dhe afatgjatë. Po dialogojmë me Bashkinë, për të gjetur hapësirë për një pol të ri për Cirkun e Tiranës”, u shpreh ajo.

Zyra e Përmbarimit kërkoi uljen e çadrës dhe lirimin e truallit ndaj pronarit në muajin korrik, si dhe vendosi bllokimin e buxhetit të cirkut.

Vendimi që Cirku Kombëtar të lirojë truallin është marrë nga gjykata, pa qenë prezente përfaqësia e tyre.

“Në këto momente të vështira, për artistët e Cirkut Kombëtar, jemi në krahun e tyre jo vetëm si përkrahës, por edhe për gjetjen e zgjidhjes për vijimin e aktivitetit artistik”, shkruan Margariti në reagimin e saj.

Ajo thekson se është pranë artistëve në “këto momente të vështira, për artistët e Cirkut Kombëtar”.

“Teksa po vijojmë luftën në aspektin ligjor në bashkëpunim edhe me bashkinë e Tiranës, edhe Ministrinë e Arsimit, do të sigurojmë një hapësirë për zhvillimin e proceseve aq të nevojshme për ta”, shkruan ajo.

Ministrja jep garanci për një zgjidhje për cirkun kombëtar si me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Artistët pretendojnë se pala mbrojtëse, në këtë rast Ministria e Kulturës nuk ka pasur informacion për mbajtjen e seancës gjyqësore mbi pronësinë e truallit ku ndodhet çadra e Cirkut.

Për këtë vendim, artistët nisën edhe një shkresë zyrtare në Kryeministri dhe Presidencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore