Lajme

Marcos Jr i Filipineve parashtroi plane të mëdha, por pak detaje


Ferdinand Marcos Jr, presidenti i Filipineve, ka folur për një sërë nismash ambicioze në Fjalimin për Gjendjen e Kombit (SONA).

Megjithatë, analistët kanë thënë se planeve u mungojnë detajet dhe se ka lëshime të dukshme në çështje kyçe si të drejtat e njeriut.

Qindra ligjvënës, zyrtarë dhe të ftuar u mblodhën në Kompleksin Batasan Pambansa, selia e Dhomës së Përfaqësuesve të Filipineve, në qytetin Quezon për të dëgjuar Marcos Jr të parashtrojë agjendën e tij.

Pasi korri një fitore dërrmuese në zgjedhje, e filloi fjalimin e tij duke folur për ekonominë, një shqetësim urgjent mes normave të inflacionit në rritje dhe çmimeve të karburantit.

Marcos Jr ka thënë se Produkti i Brendshëm Bruto i Filipineve do të rritet deri në tetë për qind çdo vit gjatë mandatit të tij gjashtëvjeçar në detyrë.

Këtë, teksa u zotua se shkalla e varfërisë do të bjerë në një shifër deri në vitin 2028 dhe se një sistem i rinovuar tatimor do të sillte të ardhura më të mëdha deri në vitin e ardhshëm.

Po ashtu ka deklaruar se do të zgjerojë programin e infrastrukturës së paraardhësit të tij Rodrigo Duterte, duke përfshirë përmirësimin e rrjetit hekurudhor.

“Jetojmë në kohë të vështira të shkaktuara nga disa forca të krijuara nga ne, por sigurisht edhe nga forca që janë jashtë kontrollit tonë. Por do të vazhdojmë të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.

Profesori i ekonomisë, JC Punongbayan, ka treguar se fjalimi i presidentit “nuk kishte shumë detaje”.

“Këto janë objektiva, jo plane. Ne mund t’i vlerësojmë më mirë premtimet e tij. Marcos përmendi gjithashtu rritjen e taksave nga ekonomia digjitale. Sa të ardhura presim nga kjo?”, ka shtuar ai.

Javë përpara SONA-s, një sondazh i Pulse Asia Research zbuloi se inflacioni kryesonte listën e shqetësimeve më urgjente të filipinasve.

Në qershor, Filipinet shënuan inflacion prej 6.1 për qind, i dyti më i lartë në Azinë Juglindore. Po ashtu u raportua shkalla më e lartë e papunësisë në rajon me gjashtë për qind.

Megjithëse Marcos Jr bëri parashikime optimiste të rritjes, grupi i ekspertëve IBON Foundation mendon se Filipinet kanë qenë ekonomia e pestë me performancën më të keqe midis dhjetë vendeve në Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) gjatë pandemisë.

Për Sonny Africa, drejtori ekzekutiv i IBON, fjalimi i Marcos Jr kishte mangësi për zgjidhjet reale të problemeve ekonomike të vendit dhe huazohej nga paraardhësi i tij për sa i përket prioriteteve ekonomike.

“Fjalimi konfirmon se presidenti nuk ka ndonjë mendim origjinal për ekonominë dhe as një plan gjithëpërfshirës për të korrigjuar rënien e saj afatgjatë”, ka thënë ai.

Më tej, analistët kanë thënë se në fjalimin e tij nuk u përmendën dhe nuk u shpjeguan një sërë çështjesh të tjera kyçe.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore