Lajme

Maqedonia e Veriut – kompensim ndaj Serbisë për humbjen e Kosovës?


Shkup

Historiani maqedonas, Aleksandër Litovski, teksa komentoi pretendimet e politikanit liberal serb, Çedomir Jovanoviç, i cili vlerësoi se Maqedonia e Veriut do t’i lihej si “kompensim” Serbisë nëse arrinë një marrëveshje me Kosovën, tha se çështja Kosovë-Serbi, s’do të zgjihet me kompensime territoriale.

Litovski, në një intervistë për gazetatën maqedonase “Nova Makedonija“, si argument shtesë për narrativën që po mbizotron aktualisht në Ballkanin Perëndimor lidhur me “kompensime territoriale”, shtroi një pyetje retorike: “Pse dikush do ta kompensojë Serbinë tani, për diçka që ka humbur shumë kohë më parë?”.

“Jovanoviç është një politikan i parëndësishëm në Serbi. Por kjo nuk e përjashton faktin që në qarqet nacionaliste serbe ato narrativa me pretendime ndaj Maqedonisë së Veriut janë ende të pranishme. Mirëpo, një qëndrim të tillë zyrtarët në Beograd nuk e praktikojnë prej kohësh”, tha Litovski.

“Perspektivat gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor nuk shfaqin tendenca të tilla për ndryshim kufijsh. Por sido që të jetë, sado joreale të jetë, narrativat e tilla janë të dëmshme për rajonin, sepse bojkotojnë zhvillimin e shteteve dhe komprometojnë Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Megjithatë, ish-diplomatja maqedonase, Melpomeni Korneti, vlerësoi se vendosja e Bashkimit Evropian në kuadrin e mbështetjes për nisma të tilla të “kompensimeve territoriale”, qoftë edhe nëpërmjet intrigave jozyrtare ballkanike, duhet të rrisë vigjilencën në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse BE-ja nuk do ta përkrahte shantazhin nacionalist të Bullgarisë dhe Greqisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pra anëtarësimin tonë në union, spekulimet e tilla për disa kompensime territoriale do të ishin të lehta për t’u hedhur poshtë si joserioze”, tha Korneti.

“Serbia është një sfidë më e madhe dhe më e vështirë për unionin sesa Maqedonia e Veriut, kështu që historitë për kompensime territoriale janë ndoshta një lloj mënyre e fshehtë për të qetësuar Serbinë. Nëse realisht disa subjekte nga Evropa janë të përfshira në intriga të tilla ballkanike, duhet të rritet vigjilenca”.

Ndryshe, për “Planin e Perëndimit” ka shkruar fillimisht gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, i cili i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë – në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Bugajski së fundmi ka ngritur tezën se deri më tani janë propozuar plane të ndryshme për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve dhe rregullimin e kufijve për të ndërtuar shtete etnike homogjene, por pa sukses, mes frikës se kjo mund t’i përshpejtojë konfliktet e reja në rajon.

Uashingtoni dhe Brukseli, sipas Bugajskit, mund të kenë hartuar një plan për një zgjidhje të re rajonale – një “Plan Trepalësh” që synon shpërblimin e Tiranës, Beogradit  dhe Zagrebit me ndikim politik dhe ekonomik kryesisht mbi Prishtinën dhe Podgoricën.

Shumë ekspertë kanë vlerësuar se situata politike në Ballkanin Perëndimor dhe fitorja aktuale e ideologjisë së “Serbisë së Madhe” në mënyrë të pashmangshme do të përhapet edhe në rajon, ngase sipas tyre, në mendjen e Perëndimit, tani po vërtitet ideja se rajoni duhet të ndahet në tre sfera ndikimi: shqiptare, serbe dhe kroate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore