Lajme

Maqedonci takon homologun kroat, flasin për situatën e sigurisë


Ejup Maqedonci dhe Ivan Anusiç

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me homologun e tij kroat, Ivan Anusiç, me të cilin ka biseduar rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Maqedonci, përmes një postimi në Facebook.

“Në takim me ministrin Anusic diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, shërbimin e trupave kroate në kuadër të KFOR-it, kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe drejtimeve ushtarake ku mund të rrisim bashkëpunimin”, shkroi Maqedonci.

Ai theksoi se homologun e tij e ka falënderuar për mbështetjen e deritanishme në fushën e mbrojtjes, shkollimin dhe trajnimin e ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut.

“Në anën tjetër ministri Anusic theksoi se Kosova do të ketë gjithmonë mbështetjen e Kroacisë në luftën kundër terrorizmit, ruajtjes së sovranitetit të vendit, dhe po ashtu në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Këshillin Evropian”, shtoi.

Maqedonci potencoi se Kosova dhe Kroacia ndajnë të kaluar të gjatë të përbashkët si miq, aleat e partner, dhe se “raportet ndërmjet të cilave shtete do të vazhdojnë të zhvillohen në përputhje me synimet tona për paqe, stabilitet e siguri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore