Lajme

Maqedonci takohet me homologët nga Estonia dhe Lituania, në fokus bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes


Ejup Maqedonci dhe Hanno Pevkur

Ministri i Mbrojtes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadës, ka takuar Ministrin e Mbrojtes së Estonisë, Hanno Pevkur dhe Ministrin e Mbrojtes së Lituanisë, Arvydas Anusauskas, ku në fokus kanë qenë kryesisht diskutimet për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Maqedonci, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, ka thënë se përveç diskutimeve mbi promovimin efektiv të vlerave dhe synimeve të përbashkëta strategjike, në takim me homologun estonez ka diskutuar edhe për mundësinë e nënshkimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit biletaral, ndërsa me homologun lituanez ofrimin e mbështetjes për Ukrainën.

“Në takim me homologun estonez, në mes të tjerash diskutova për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral në të ardhmen”, ka shkruar ministri kosovar, kurse ka njoftuar se Estonia dhe Lituania kanë ofruar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Lituania dhe Estonia kontribuojnë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), derisa trupat lituaneze dhe estoneze në kuadër të KFOR-it kanë përcjellur vazhdimisht situatën e sigurisë në vend, posaçërisht pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë. Ndryshe, disa shtete kanë rritur numrin e ushtarëve në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore