Lajme

Maqedonci: Situata është e qetë – jemi të përgatitur dhe të trajnuar për ta mbrojtur territorin tonë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se mesazhi që dëshironte të përçonte Serbia përmes ushtrimeve të së premtes ka qenë që të demonstrojë forcë jo shumë larg prej kufirit të Kosovës.

Ai gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka theksuar se këto ushtrime kanë filluar që nga 8 prilli.

“Ushtrimi fushor që është organizuar dhe planifikuar nga ushtria serbe ka filluar më 8 prill dhe është shtrirë në 12 lokacione të ndryshme në Serbi, por vendosjet normale me armatimet janë vendosur në tri poligone kryesisht. I gjithë ky armatim që është përdor dhe numri i madh i pjesëtarëve ka dëshmuar që Serbia përveç tjerash ka dërguar mesazh edhe tek fqinjët përmes këtij ushtrimi”.

Pavarësisht, këtij ushtrimi Maqedonci, theksoi se situata aktuale në Kosovë është e qetë.

“Situata e përgjithshme është e qetë ne si Qeveri dhe të gjitha institucionet jemi të vendosura që me çdo kusht ta mbrojmë territorin e vendit tonë. Ne përgatitemi, trajnohemi dhe zhvillohemi për të mbrojtur territorin tonë dhe nuk cenojmë territorin e askujt”, ka thënë Maqedonci.

Sipas tij, akoma më shqetësues duhet të jetë fakti se ushtrimet u bënë në një afat shumë të shkurt kohorë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjë.

“Shqetësues është fakti që ky ushtrim po bëhet pas shumë pak muajsh pas një sulmi të organizuar nga një grup i uniformuar i armatosur terrorist i cili ka hyrë po nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës, më 24 shtator. Kemi një ushtrim madhor të ushtrisë serbe ku janë përdorur të gjitha armët që i ka në dispozicion ushtria serbe”.

“Shqetësimi ka qenë për faktin që është zgjedhur një lokacion jo larg kufirit me Kosovën dhe shumë afër me kufirin e Malit të Zi”.

Më 19 prill Maqedonci, duke folur për stërvitjet ushtarake të Serbisë rreth kufirit me Kosovën, ka thënë se ajo do të testojë të premten kapacitetet sulmuese, të cilat, siç ka bërë me dije ministri s’përdoren për mbrojtje, por për sulme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore