Kosova

Maqedonci: Serbia do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke folur për stërvitjet ushtarake të Serbisë rreth kufirit me Kosovën, ka thënë se ajo do të testojë të premten kapacitetet sulmuese, të cilat, siç ka bërë me dije Maqedonci, nuk përdoren për mbrojtje, por për sulme.

Këto komente, Maqedonci i ka bërë në një intervistë për “A2CNN”, të enjten, ku ka theksuar se të gjitha veprimet që deri më tani ka ndërmarrë Serbia, “i ka kamufluar si përgatitje dhe militarizim për mbrojtje”.

“Serbia do të testojë pajisje sulmuese dhe jo mbrojtëse. Edhe pse ka vendosur 48 baza në kufi me Kosovën në jug të territorit të saj, ka vazhduar të proklamojë se gjithë ky mobilizim ka qenë për të përgatitur mbrojtjen e territorit. Të premten do të jemi dëshmitarë që Serbia do të testojë kapacitete sulmuese, mes tyre dhe dronë kamikazë që nuk përdoren për të mbrojtur por për sulme kundër dikujt tjetër”, ka thënë Maqedonci.

Duke folur për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, Maqedonci ka theksuar se ato mund të vazhdojnë.

“Mund të ketë forma të tjera, një ndër tyre që kemi vërejtur prej datës 8 prill deri më 21 është një ushtrim që ushtria serbe po kryen në pjesën jugore të territorit të Serbisë. Është një ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar ndonjëherë ushtria serbe”.

Ai ka shtuar se në kohën që ky ushtrim po realizohet dhe “përdorimi i pajisjeve dhe sistemit të armatimit në këtë ushtrim paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore