Shqipëria

Manja kallëzon në SPAK ish-zyrtaren e Agjencisë së Trajtimit të Pronave


Pas një hetimi të Njësisë Anti-Korrupsion, ish-zyrtarja më e lartë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe disa drejtues të kësaj agjencie rezultojnë të implikuar në veprimtari abuzive.

Kjo, përmes skemash, të cilat kanë prodhuar korrupsion thelbësor.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja, në një deklaratë për mediat, të martën e 24 majit.

Drejtuesja e agjencisë Jonida Baçi, zbuloi ministri, u shkarkua para pak ditësh me propozimin e tij nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai shpjegoi se, si koordinator i kësaj njësie, ka firmosur kallëzimin ndaj saj, të cilin do t’ia dërgojë SPAK-ut.

“Është radha e SPAK-ut të thellojë hetimet e veprimtarisë së këtyre individëve dhe të zbardhë deri në fund skemat abuzive të vëna në veprim në shkelje të ligjit e në kurriz të qytetarëve”.

Sipas tij, njësia ka kallëzuar zyrtarët për tre vepra penale: shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe konflikt interesi.

Skemat

Gjatë deklaratës për shtyp, Manja shpalosi edhe dy skema, të cilat besojnë se lidhen me abuzimet e zyrtarëve të kësaj agjencie.

“Pronarët e mëparshëm të cilat kanë vendimet për kompensim financiar dhe fizik, i disponojnë këto vendime për një kohë të gjatë për marrjen e kompensimit që nuk e kanë realizuar deri më sot”.

Në këto kushte janë detyruar t’i shesin vendimet e tyre te sekserë.

Këta të fundit, sapo i kanë blerë këto të drejta reale, kanë aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ku janë kompensuar 100 për qind financiarisht, por edhe kompensuar fizikisht në vendet më të mira.

“Pasi i kanë marrë këto prona, kanë vijuar me transaksione, duke i kaluar në emër të familjarëve të zyrtarëve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave”, sqaroi zyrtari shqiptar.

Skema tjetër ka të bëjë me abuzimet në rastin e kompensimit financiar të ish-pronarëve.

Pronat e tyre, në këtë rast, janë zënë me ndërtime të legalizuara.

“Çdo ish-pronar, prona e të cilit është zënë me një pronë të legalizuar, kompensohet financiarisht”, vërejti Manja.

Sipas tij, ish-pronarët, pasi marrin një vlerësim në Kadastër, depozitojnë kërkesën për t’u kompensuar financiarisht.

Referuar praktikës që vetë agjencia e ka vendosur si standard, skema ndjek rendin kronologjik të vendimeve.

Pra, vendimi i parë likuidohet më herët.

Mirëpo, ka dhe ish-pronarë, sipas Manjës, që presin 1-5 vjet për të marrë vlera qesharake për kompensim.

Manja nënvizoi se ka edhe, ish-pronarë që nga 1-17 ditë janë kompensuar deri në 500 milionë lekë.

Për sa më sipër, në përmbyllje u shpreh ministri, “na bën të dyshojmë se në këtë skemë të kompensimit të ish-pronarëve ka shpërdorim detyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore