Sport

Manchester City kalon me lehtësi Brighton-in dhe ndjek Chelsea-n


Skuadra e Pep Guardiola-s, Manchester City, ka arritur të marrë fitoren e radhës në Premier League. Përballë kishte Brighton-in, të cilin e mundi me rezultatin 4-1 në transfertë.

City dhe Brighton-i u përballën për javën e nëntë të kampionatit. Dy skuadrat në renditje nuk kishin diferencë të madhe pikësh para takimit, por në fushë nuk ishte kështu.

Për “qytetarët” tre gola edhën në pjesën e parë të takimit dhe një në pjesën e dytë. Në të 13 minutë shënoi Ikay Gundogan. Goli i turko-gjermanit u quajt i vlefshëm vetëm pas konfirmimit nga sistemi VAR.

Dy golat e radhës për City-n edhën nga super talenti anglez, Phil Foden. Fillimisht shënoi në minutën e 28 për 2-0 dhe tre minuta më vonë do të shënonte edhe golin e tretë.

Goli i vetëm për vendasit do të shënohej nëntë minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit. Alexis Mac Allister shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndërsa, për të vulosur shifrat përfundimtare të takimit në 4-1 do të mendonte, Riyad Mahrez. Algjeriani shënoi në fundin e takimit, në të 90+5 minutë.

Lojtarët më të spikatur të ndeshjes ishin Foden-i dhe Gundogan-i. Sipas “Sofascore” anglezi u vlerësua me notën 9.2 dhe turko-gjermani me 8.

Me fitoren e arritur, City shkon në kuotën e 20 pikëve. Dy pikë më shumë ka Chelsea në renditje që kryeson Premier League. Brighton-i qëndron në vendin e katërt me 15 pikë.

Gjithsesi do të duhet të priten takimet e të dielës, West Ham – Tottenham, Brentford – Leicester dhe Manchester United – Liverpool, për të mësuar nëse City dhe Brighton-i do të qëndrojnë në pozitat përkatëse.

Renditja që mund të ndryshojë në Premier League:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore