Lajme

Maliqi: Kurti po përshtatet dhe po zbutet – Vuçiç po kopjon Titon


Shkëlzen Maliqi

Filozofi dhe analisti politik, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për mediumin e Vojvodinës “Autonomia”, ka thënë se ashpërsimi i retorikës, si nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç bëhet për shkak se po afrohet momenti për zgjidhjen e krizës Prishtinë-Beograd, prandaj “Kurti ashtu edhe Vuçiç sillen gjithnjë e më shumë në mënyrë neurotike”.

“Presidenti i Serbisë, përkundër mbështetjes retorike për një zgjidhje konsensuale për Kosovën, tregon hezitimin e tij për të punuar në mënyrë të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, sikur i frikësohet zgjidhjes”.

“Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës është i fiksuar me këmbëngulje me veprime simbolike për të dëshmuar Kosovën si shtet sovran, i paduruar për të pritur një marrëveshje të madhe, prandaj BE-ja dhe SHBA-ja i kërkuan edhe pak kohë për dialog”, shtoi ai.

Maliqi theksoi se me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe me një realitet të ri gjeopolitik, Vuçiç po mundohet t’i kopjojë politikat e diktatorit të ish-Republikave Socialiste të Jugosllavisë, Josip Broz Titos.

“Vuçiç ka menduar për një kohë të gjatë se edhe sot, në kushtet e shpërthimit të një ‘lufte të ftohtë të re’, mund të imitohet politika që dikur udhëhoqi Josip Broz Tito, pikërisht nga Beogradi, duke balancuar me mjeshtëri interesat e Perëndimit dhe BRSS-së”.

“Duke qenë se Vuçiç shpesh qëndron në vilat e Titos në Dedinjë, me siguri mendon se e trashëgon politikën e mosangazhimit, pra Serbinë e sheh si shtet neutral. Problemi është se ai e luan atë rol me kapacitetet e një aktori sentimental provincial”, shtoi Maliqi.

Kurse, siç vlerëson Maliqi, Kurti i referohet demokracisë, si diçka që ia ka borxh popullit, pra “zbatimin e ligjeve të Kosovës”, por e anashkalon procesin politik të problemit, prandaj SHBA-të janë shumë të pakënaqur me politikën e Prishtinës, dhe ka demarshe dhe kritika zyrtare për veprimet e kryeministrit Kurti.

“Për të sqaruar këtë deklaratë për një anashkalim, më duhet t’i referohem një pikë të verbër në pikëpamjet politike të Albin Kurtit, të cilat e shtyjnë atë të përsërisë të njëjtat keqkuptime vazhdimisht”.

“Kryeministri i Kosovës duket se ka ruajtur impulsin e majtë të dyshimit të vazhdueshëm ndaj interesave imperialiste amerikane. Tani, shpresoj, ai po përshtatet dhe po zbutet”.

Sipas Maliqit, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, në bazë të propozimit franko-gjerman nuk ka alternativë, por ai shpreh skepticizmin e tij se një marrëveshje mund të arrihet shpejtë.

“Fyerjet janë të ndërsjella, por letrat për marrëveshjen përgatiten nga diplomatë dhe ndërmjetës të huaj. Prishtina dhe Beogradi mund të plotësojnë diçka, por në fund do të nënshkruajnë gjithçka dhe do të shtrëngojnë duart. Ata nuk duhet të kërkojnë falje dhe ta duan njëri-tjetrin”.

“Nga këndvështrimi i sotëm, një marrëveshje duket e pamundur – pozicionet janë shumë larg… Por, jo vetëm Kurti thotë se klima politike do të ngrohet në pranverë, por edhe burime të tjera më serioze konfirmojnë se një marrëveshje kuadër po përgatitet mbi bazën e planit franko-gjerman, i cili tani paraqitet si plan i përbashkët i BE-së, me mbështetjen e SHBA-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore