Lajme

Maldivet përgenjështrojnë Vuçiç-in dhe Daçiç-in: S’e kemi “çnjohur” Kosovën


Ibrahim Mohamed Solih

Zëdhënësi i Presidencës së Maldiveve, Miuwan Mohammed, në një konferencë për media të enjten, njoftoi se pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryediplomatit serb, Ivica Daçiç, se arkipelagu në Azinë Jugore e ka tërhequr njohjen e Kosovës, janë të pavërteta.

“Republika e Maldiveve nuk ka vendosur që të tërhiqet nga njohja e pavarësisë së Kosovës, kjo është padyshim një gënjeshtër”, deklaroi shkurt Mohammed, ndërsa shtoi se qeveria atje nuk do të ndërpresë lidhjet diplomatike me asnjë vend, rrjedhimisht as me Kosovën.

Ndaj këtij lajmi ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maldiveve, Ahmed Shaheed, i cili nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, falenderoi presidentin Ibrahim Mohamed Solih për demantimin e zyrtarëve serbë.

Ndryshe, kryediplomati nga Maldivet, pasi takoi të mërkurën në Beograd homologun e tij serb, Ivica Daçiç, deklaroi se autoritetet e Maldiveve e respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit serb (sipas botëkuptimit të Serbisë për veten – me Kosovën brenda).

Daçiç nga ana tjetër, përveç që falënderoi homologun e tij nga shteti i vogël aziatik “për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, shprehu bindjen e tij të thellë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vende do të përmirësohen.

Ishin nëntë shtete dhe një në pritje – kryesisht vende pa ndikim të rëndësishëm ndërkombëtar – të cilat sipas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas aktivitetit të diplomacisë serbe e kishin “çnjohur” pavarësinë e Kosovës.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, pati deklaruar presidenti serb në konferencën vjetore drejtuar popullit serb, ku pretendoi se Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet, kishin tërhequr njohjen e shtetit më të ri në Evropë.

“Çnjohjet” e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur në vitin 2018 si pasojë e fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, kryesisht përmes ideatorit serb, Ivica Daçiç, për të vazhduar më pas me përpjekjet shantazhuese kundër pavarësisë së Kosovës edhe në vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore