Vende

Magjia e Dibrës


Dibra është një prej destinacioneve më të bukura për t’u vizituar në veri-lindje të Shqipërisë.

Ajo ofron destinacione turistike të mahnitshme, duke filluar me atraksionet e bukura natyrore që nga Mali i Korabit – mali më i lartë i Shqipërisë – lumi Drini i Zi, liqenet akullnajore të Lurës, burimet termale të Llixhave, të cilat ndërthuren natyrshëm me trashëgiminë e pasur kulturore dhe begatinë e produkteve bujqësore, artizanale dhe kulinarinë dibrane.

Gjithashtu, ndër shekuj është shquar si një zonë plot histori, kulturë, me personalitete të shumtë e të njohur, që i kanë dhënë shumë Dibrës, tradita mikpritëse dhe zakone që i ka ruajtur deri në ditët e sotme.

Kostumet popullore të grave të krahinës së Zerqanit dhe Bulqizës, Gollobordës, Lurës, të fshatrave në të majtë të Drinit të Zi, të komunës së Shupenzës dhe veshje të Fushës së Shehrit, janë të një bukurie dhe larmie të veçantë.

Edhe kostumet e burrave, që përbëhen prej qeleshes së bardhë, këmishës së bardhë prej pambuku me mëngë të rrudhura te kyçi i dorës, xhamadani i zbukuruar me gajtanë të zinj, brezi i leshit i zbukuruar me disa ngjyra, tirqet, janë pjesë e trashëgimisë popullore që vjen thellë prej shekujve.

Festa si “Oda Dibrane” janë vitrina të gjalla të zakoneve e traditave të lashta të kësaj treve. Në territorin e Dibrës ndodhen dy parqe të famshme, Parku Kombëtar i Lurës dhe Parku Natyror Korab-Koritnik.

Peizazhi malor i dy parqeve pasurohet dhe bëhet më i larmishëm nga lumenjtë dhe përrenjtë e shumtë malorë, 21 liqenet akullnajore, shpellat dhe kanionet, bjeshkët e shumta dhe pyjet e ahut, pishave, bredhit dhe lisit.

Një nga vlerat e pasurisë së biodiversitetit të kësaj zone është fauna e rrallë, ku gjinden mbi 30 lloje gjitarësh, duke përfshirë gjitarët e mëdhenj si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), dreri (Capreolus capreolus) dhe rrëqebulli ose Tigri i Ballkanit.

Atraksioneve të bukura natyrore të Dibrës u shtohen edhe pasuritë e shumta të trashëgiminisë së saj kulturore dhe historike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore