Lajme

Macron respekton votuesit italianë: Do të vijojmë bashkëpunimin


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar për fitoren në zgjedhjet italaine kandidaten e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, duke respektuar tërësisht vullnetin e popullit italian për zgjedhjen e kryer në votimet e 25 shtatorit.

Mesazhi, ka qenë një dhe i vetëm nga kreu i Elysee-së: Do të vijojmë të punojmë së bashku.

Fitorja e Melonit ka qenë një vendim historik për Italinë, ku jo vetëm për herë të parë një grua do të drejtojë Qeverinë, por edhe një parti e ekstremit të djathtë, që prej Luftës së Dytë Botërore, kur fashistët e Musolinit merrnin pushtetin.

Nga ana tjetër, shumë qeveri evropiane janë shprehur skeptike për fitoren e të djathtës në Itali, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën e politikbërjes që meloni dhe aleatët Salvini e Berlusconi.

Zgjedhjet në Itali

Ashtu siç u parashikua.

Partia e së djathtës, Fratelli d’Italia, ka arritur një rezultat historik duke u bërë partia e parë me një fitore mbi 25% në zgjedhjet e mbajtura të dielën e 25 shtatorit në Itali.

Një triumf i vërtetë për Fratelli d’Italia, pasi deri vonë ajo arrinte të merrte vetëm 4%, dhe 9 vjet më parë vetëm 1.96% të votave.

Kështu, Giorgia Meloni, po përgatitet të bëhet kryeministrja e parë grua dhe kryetarja e një partie që ka një numër të rëndësishëm mandatesh në krahasim me aleatët e tjerë të të njëjtit koalicion të qendrës së djathtë.

Meloni në orët e para të mëngjesit shpalli fitoren dhe premtoi të qeverisë për të gjithë italianët.

Tashmë ajo e ka rrugën e hapur për të krijuar Qeverinë më të djathtë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Deri në llogaritjet më të fundit Fratelli d’Italia, ka marrë 26.3%. Pjesëmarrja në votime ka rënë me 9.1%.

Partia tjetër e së djathtës, Lega ka marrë vetëm 9%, pra nën pragun prej 10%.

Kështu, nuk është rastësi që Matteo Salvini, kryetari i saj, zgjodhi të mos fliste dhe ia besoi falënderimet e tij italianëve për votat e marra në një postim lakonik në Twitter.

Një disfatë që e gjen tablonë e saj më të qartë pikërisht në atë që ishte territori i afirmimit të tij historik: në Veneto, ku guvernatori u rizgjodh me një diferencë shumë të vogël.

Gjithashtu në Lombardi, Lega është pas Partisë së Melonit.

Nga ana tjetër, Lëvizja “Cinque Stelle” u bë protagoniste e një rikthimi të madh, që ndodhi ditët e fundit para votimit.

Aq sa e bënte Giuseppe Conte të thoshte me krenari, se ishte hera e parë që ai mati veten me një fushatë elektorale.

Partia tjetër e madhe konservatore, partia Forza Italia e Silvio Berlusconit, arriti rreth 8%, duke e lënë Fratelli d’Italia partnerin dominues.

Të hënën Meloni tha se votuesit italianë i kishin dhënë një mandat të qartë të drejtës për të formuar qeverinë e ardhshme dhe bëri thirrje për unitet për të ndihmuar në përballimin e problemeve të shumta të vendit.

“Kjo është një natë krenarie për Fratelli d’Italia, por është një pikënisje, jo një vijë fundi”, tha ajo para një turme mbështetësish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore