Lajme

LVV s’merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e rrymës, Tahiri: Janë të sinkronizuar me ZRRE-në


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës e ka quajtur vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës, si politike dhe diskriminuese.

Tahiri, mospjesëmarrjen e Lëvizjes së Vetëvendosjes në këtë seancë e thirrur nga partitë opozitare, ku po diskutohet vendimi i ZRRE-së e ka konsideruar si bashkëpunim ndërmjet saj dhe ZRRE-së.

“Shihni tarifat, ngritjen e çmimit dhe pozicionin e Qeverisë. AAK-ja dje nuk e ka lëshuar sallën, kemi qëndruar në sallë. Sot Lëvizja Vetëvendosje që nuk është këtu, e ka injoruar debatin për një çështje që ka rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo tregon se si ka qenë e sinkronizuar ngritja e çmimit nga Zyra e Rregullatorit”, ka thënë Tahiri.

“Kjo është çështje e rëndësishme dhe ky Kuvend përmes një rezolute duhet të japë vendim të qartë për atë vendim. ZRRE që tashmë është kthyer në një instrument të Qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejtë direktivat e Qeverisë”.

Memli Krasniqi

Në anën tjetër Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke e komentuar mospjesëmarrjen e LVV-së në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se pushteti ka braktisur jo vetëm kuvendin, por edhe të gjithë qytetarët.

“Nuk mund t’i adresohemi as qeverisë, nuk mund t’i adresohemi as deputetëve të shumicës parlamentare të cilët siç i kanë braktisur edhe qytetarët e Kosovës, e kanë braktisur edhe këtë sallë të kuvendit”.

“Qeveria dhe shumica parlamentarë ik nga përgjegjësia, siç e kemi parë që ka ikur nga përgjegjësia që nga fillimi i mandatit”.

Ndërsa, Krasniqi ka thënë se kryeministri me vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike i vuri barrë shtesë qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dje e ka realizuar në agjendën e saj të paralajmëruar me kohë për shtrenjtimin e energjisë elektrike për krejt qytetarët të Kosovës, duke i vënë një barrë secilës nga familjet e Kosovës”.

Sipas Krasniqit, pushteti aktual kishte premtuar krejtësisht të kundërtën në raport me çmimin e rrymës.

“Pikërisht nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nga kjo parti e cila erdhi në pushtet duke e premtuar krejtësisht të kundërtën, e që sot po rrit të gjitha çmimet”.

Por, me vendimin e të martës qytetarët u n ndanë në kategori të pabarabarta.

“Ajo i ndau qytetarët me vendimin e djeshëm me subjekte të pabarabarta duke i qitur harraq disave për të mbuluar koston e disa të tjerëve, normalisht që vendimi ishte i paralajmëruar sepse prej kohës kur ne e paralajmëruam qeverinë për krizën që po pret para 5 muaj ata e injoruan komplet këtë paralajmërim dhe nuk ndërmorën asnjë masë duke zgjedhur që të mos merren me pasoja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore