Shqipëria

Luigi Soreca për shpalljen ‘non-grata’ të Berishës: Vendim i qeverisë së SHBA-së, nuk kam koment


Në kuadër të Ditëve të Evropës, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca, të dielën e 23 majit u ndal në qytetin e Korçës.

Përsa i përket çështjes “Berisha”, i cili u shpall si persona non-grata nga SHBA-ja, Soreca tha se nuk ka koment.

“Vendimi është i qeverisë së SHBA-së, nuk kam koment për të bërë në lidhje me këtë”.

Soreca theksoi përsëri faktin se ai dëshiron që të iu tregojë shqiptarëve që “Evropa është këtu”.

“Gjatë këtij rrugëtimi jemi takuar me qytetarë ku ju kemi treguar programet e financuara nga BE-ja”.

Për më tepër tha se BE-ja ka një program për rindërtimet pas tërmetit. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkatërroi disa ndërtesa në Thumanë dhe Durrës. Qindra familje ngelën pa shtëpi.

Gjithashtu Ambasadori përmendi faktin se Shqipëria është shumë pranë negociatave me BE-në.

“E ardhmja e Shqipërisë, janë të rinjtë. Objektivi ynë ta çojmë Shqipërinë drejt BE-së. BE-ja pa Ballkanin Perëndimor nuk është e plotë”.

Përsa i përket reformës në drejtësi ai kujtoi sot 29-vjetorin e vrasjes së gjyqtarit italian Giovanni Falcone. Soreca shtoi se në Shqipëri po krijohen shumë Falcone.

“Falcone ishte personi që krijoi konceptin e ndjekjes së parasë. Ata vranë Falconen, por jo idetë e tij, parime të cilat vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër pastrimit të parave”.

Çështja Berisha

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha të mërkurën e 19 majit u shpall nga SHBA-ja si persona non-grata, duke mos i lejuar hyrjen në vend së bashku me familjen e tij.

Motivacioni kryesor i bërë me dije në deklaratën e Departamenti Amerikan të Shtetit, është ai i përfshirjes së Berishës në korrupsion. Këto akte lidhen me përvetësim fondesh publike. Interferimi në procese publike është gjithashtu një prej arsyeve.

Sipas deklaratës, Berisha, në kohën kur ka qenë kryeministër, ka përdorur pushtetin e tij për të pasuruar aleatët politikë dhe familjen, në kurriz të besimit që i kanë dhënë qytetarët me zgjedhjen e tij dhe qeverisë së tij.

Vendimi i SHBA-së ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore