Sport

Saga ‘Superligë’/ Perez konferencë ekskluzive sonte, momenti i së vërtetës


🕰20:58

Presidenti i Superligës, ai i Real Madrid, do të dalë në një emision drejtpërdrejt sonte.

Kur ora të shënojë 00:00, ai do të jetë i pranishëm para gazetarit Josep Pedrelol në emisionin “El Chiringuito”.

Perez pritet të tregojë gjithçka, nga shkronja e parë deri tek e fundit mbi projektin e Superligës.

Ai e konsideron këtë ligë si mjeti që “do ta shpëtojë futbollin”.

🕰 19:59

Nesër do të merret vendimi për skuadrat e mbetura në Champions League dhe Europa League.

Real Madrid-i, Chelsea, Manchester United, Manchester City dhe Arsenal-i, me shumë mundësi, do të eliminohen nga Champions-i dhe Europa këtë sezon.

Kjo do të thotë që:

Paris Saint-Germain shpallet kampion i Champions League-s.

Roma – Villarreal do të jetë finalja e Europa League.

🕰 18:39

Ultimatum për Bayern, Dortmund dhe PSG.

Në një pjesë kontrate të publikuar nga Der Spiegel, ceket që:

Paris Saint-Germain ka 14 ditë kohë për ta pranuar propozimin.

Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kanë 30 ditë kohë.

🕰 18:31

Sipas RMC Sport, një negociues ka pranuar nga një përfaqësues të UEFA-s dhe Superligës për të arritur “mesin e artë”.

🕰 18:19

Mbështetje e madhe për UEFA-n dhe FIFA-n ka ardhur edhe nga kryeministrat e vendeve të përfshira, Italia dhe Anglia.

Mario Draghi (kryeministri i Italisë): “Qeveria italiane mbështet fort pozicionin e institucioneve të futbollit italian dhe atij evropian”.

Boris Johnson (kryeministri i Anglisë): “Do të bëjmë gjithçka që mundeni me forcat tona që ta ndalojmë këtë projekt”.

🕰 18:00

Në mesin e gjithë çmendurive, kujtojmë se futbollistët që luajnë në Superligë nuk do të lejohen të luajnë me kombëtaret e tyre.

Brenda orëve të ardhshme, do të merret vendimi për skuadrat e Superligës që janë në kompeticionet evropiane.

Ato janë: Chelsea, Manchester City dhe Real Madrid – Champions League.

Manchester United dhe Arsenal – Europa League.

🕰 17:30

Formati i kompeticionit

Superliga është një kompeticion evropian i ri mes 20 klubeve, me 15 që do të jenë krijuese dhe pesë që do të kualifikohen çdo vit.

Do të jenë dy grupe me nga dhjetë skuadra, që do të luajnë ndeshjet si vendas dhe mysafir brenda grupit, çdo vit.

Duke bërë bashkë skuadrat më të mira dhe futbollistët më të mirë në botë, Superliga do të sjellë emocione dhe dramë si kurrë më parë në futboll.

‘Top 8’ skuadrat

Pas fazës së grupeve, tetë skuadra do të kualifikohen për një kompeticion ‘knock-out’.

Aty do të luajnë ndeshje brenda dhe jashtë deri në kampionatin e Superligës.

Do të ketë një fund sezon dramatik që do të zgjasë katër javë.

Ndeshjet e mesjavës

Ndeshjet do të luhen në mesjavë dhe klubet do të mbesin në ligat e tyre shtetërore.

Solidariteti dhe qëndrueshmëria

Pagesa solidare do të rriten në përputhje me të ardhurat e ligës dhe pritet që të arrijnë deri në 10 bilionë euro gjatë kohës në të cilën krijuesit e ligës kanë premtuar përkushtim. Këto pagesa solidare do të ndjekin një model me transparencë totale dhe raportim të rregullt të publikut.

🕰 17:03

Sponsorët multimilionësh të Superligës

Normalisht që një projekt, që ndryshon një sport të tërë, do të ketë edhe sponsor që do ofrojë shifra dhe përfitime marramendëse.

Sipas Financial Times, investimet për Superligën do të jenë të pabesueshme.

Për kompanitë e transmetimeve, Perez po kërkon që të sigurojë marrëveshje më katër nga kompanitë më të mëdha në botë.

Ato janë: Amazon, Facebook, Disney dhe Comcast, kjo e fundit që ka në drejtim Sky Sport-in.

Këto do të sillnin të ardhura vjetore deri në katër bilionë euro, raporton Financial Times.

Besimi është i lartë dhe marrëveshjet pritet të zyrtarizohen shumë shpejt.

Por, kjo nuk është e vetmja. Drejtuesit e Superligës janë shumë të interesuar në një seri televizive.

Ata e pëlqejnë konceptin që përdor “Drive to Survive”, e cila është një seri e dedikuar për çdo sezon të Formula 1.

Një ide e njëjtë në bashkëpunim me “Amazon”, do të ishte e mirëpritur për drejtuesit e ligës.

Të ardhurat vjetore pritet të kalojnë për dy herë ato që i gjeneron Champions League aktualisht.

🕰 16:31

Karl Hainz-Rummenige do të zëvendësojë Andrea Agnelli-n si president i ECA-së.

Agnelli u shkarkua mëngjesin e 19 prillit, teksa klubi i tij dha dorëheqjen nga ky institucion.

Emërimi i Karl Hainz-Rummenige, që njëkohësisht është edhe drejtori i Bayern-it, është lajm i madh.

Kjo do të thotë që, klubi gjerman, Bayern, njëherë e mirë zyrtarizon që nuk do të marrë pjesë në Superligën e krijuar.

Rummenige do të jetë tani zëri i gjithë klubeve që do të marrin pjesë ende në Champions League dhe Europa League edhe pas këtij sezoni.

🕰 16:15

Gjatë konferencës së 19 prillit, Aleksander Ceferin zbrazi gjithë mllefin e tij, duke u drejtuar komente të rënda të gjithë krijuesve të SuperLigës, sidomos Agnelli-t.

“Jam i shokuar nga Agnelli”, tha ai, “të shtunën, kur biseduam, më tha se raportimet mbi Superligën nuk janë të vërteta”.

“Pastaj e ndali telefonin dhe shkoi për ta nënshkruar marrëveshjen për të krijuar Superligën. Jam  i shokuar, me të vërtetë”.

Por, Ceferin nuk u ndal me kaq.

Ai e konsideroi presidentin e Juventus-it, si gënjeshtarin më të madh që ka parë ndonjëherë.

“Kurrë nuk kam parë një person, i cili gënjen kaq shumë dhe kaq me këmbëngulje si ai”.

“Fola me të të shtunën dhe më tha që nuk ka asnjë problem”, tha Ceferin, “por, me sa duket, paraja ndryshon gjithçka”.

Çfarë ka ndodhur me Agnell-in?

Agnelli u shkarkua nga pozita e drejtorit të ECA (Asociacioni i Klubeve Evropiane), pasi pranoi pjesëmarrjen në Superligë.

“Nuk e dija që kishim kaq shumë gjarpërinj afër vetes”, vazhdoi Ceferin, “por tani është mirë,  pasi e dimë se kush janë ata”.

Gjithashtu ai u ndal edhe te presidenti i Manchester United-it, Ed Woodward.

“Ed Woodward? As nuk dua të filloj me të”, tha Ceferin, “ai më thirri të enjten e kaluar, duke më thënë që është shumë i lumtur me reformat e reja”.

“Gjithçka që donte të fliste, ishte ‘fair play financiar’. Kur ai tashmë kishte nënshkruar diçka tjetër”.

Ceferin ka paralajmëruar që klubet, të cilat janë pjesë e Superligës, mund të përjashtohen nga Champions League dhe Europa League menjëherë.

 

Lajmi në përditësim!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore