Lajme

Lufta Rusi-Ukrainë: Kievi ndalon festimet e Ditës së Pavarësisë


Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, ka ndaluar festimet publike për të përkujtuar pavarësinë nga sundimi sovjetik, duke përmendur një kërcënim për sulm nga Rusia për atë ditë.

E përditshmja  “Al Jazeera” raporton se Kievi “po ndalon çdo lloj grumbullimi masiv, ndërsa administratori ushtarak i qytetit po urdhëron forcat e sigurisë të jenë të gatshme për t’iu përgjigjur çdo lloj incidenti, si sulmet me raketa dhe bombardimet”.

Ndalimi erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se Moska mund të provojë “diçka veçanërisht të shëmtuar” në prag të 31 vjetorit të pavarësisë të së mërkurës, i cili gjithashtu shënon gjysmë viti nga pushtimi i Rusisë.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar një dokument zyrtar, tha se ndalimi i ngjarjeve publike në lidhje me përvjetorin do të zgjasë nga e hëna deri të enjten.

Kievi është larg vijës së frontit dhe rrallë herë është goditur nga raketat ruse që kur trupat ukrainase zmbrapsën një ofensivë tokësore ruse për të pushtuar kryeqytetin në mars.

Normativa të tjera ligjore kanë kufizuar gjithashtu tubimet publike. Në Kharkiv, një qytet verilindor që është goditur nga zjarri i shpeshtë dhe vdekjeprurës i artilerisë dhe raketave me rreze më të gjatë veprimi, kryebashkiaku Ihor Terekhov njoftoi një zgjatje të shtetrrethimit gjatë natës nga ora 16:00 deri në 07.00 të mëngjesit, në fuqi nga e marta deri të enjten.

Në portin e Mykolaiv-it, pranë territorit të kontrolluar nga Rusia në jug, guvernatori rajonal Vitaliy Kim tha se autoritetet planifikonin një urdhër paraprak që banorët të punonin nga shtëpia të martën dhe të mërkurën dhe u bëri thirrje njerëzve të mos mblidheshin në grupe të mëdha.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë se nga burimet e inteligjencës thuhet se Rusia po planifikon të nisë së shpejti sulme të reja kundër objekteve civile dhe qeveritare të Ukrainës. Një zyrtar amerikan i cituar nga “Reuters” tha se “ne kemi informacione se Rusia po rrit përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim”.

Në një fjalim të mbrëmjes, Zelenskyy bëri thirrje për masa të reja ndëshkuese ndaj Rusisë nga Evropa, e cila po përgatitet për mungesat e energjisë pasi Moska njoftoi një ndalesë tre-ditore të disa flukseve të gazit në kontinent si hakmarrje e dukshme ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Rusia e mohon këtë, duke fajësuar për shkurtimet vetë sanksionet dhe problemet e ndryshme teknike.

Frika nga sulmet e intensifikuara u rrit gjithashtu pasi Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë akuzoi të hënën agjentët ukrainas për vrasjen e Darya Dugina-s, vajzës së ultra-nacionalisti rus Aleksandër Dugin, në një sulm me makinë bombë pranë Moskës.

Ukraina mohon përfshirjen në këtë atentat.

Filozofi i Putinit shpalos planin e Kremlinit për Serbinë: “Ringjallja e madhe sllave në Ballkan do të bëhet, vetëm prisni të përfundojmë në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore