Lajme

Lufta në Ukrainë kërcënon të thellojë krizën demografike të Rusisë


Me sa duket, Vladimir Putin-in e lë pa gjumë rënia e popullsisë së Rusisë dhe kërcënimi që ajo paraqet për ekonominë e vendit.

Atje, niveli i lindjeve ra ndjeshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik, çka çoi në mungesa në fuqinë punëtore.

Kështu ka thënë vetë ai, në një konferencë shtypi të nëntorit të kaluar teksa po grumbullonte trupa përgjatë kufirit me Ukrainën.

“Nga pikëpamja humanitare dhe nga pikëpamja e forcimit të shtetësisë sonë dhe nga pikëpamja ekonomike, problemi demografik është një nga më të rëndësishmit”, shtoi ai.

Mirëpo, pushtimi i Ukrainës e ka përkeqësuar problemin.

Lufta ka sjellë eksodin e profesionistëve dhe mijëra viktima, shumë prej tyre të rinj që do të kontribuonin në ekonomi për dekadat e ardhshme.

Kësaj i shtohet edhe ndikimi i pandemisë, përgjatë së cilës ka pasur një milion vdekje mbi nivelet normale.

Sfidat e ardhura mes sanksioneve gjymtuese të vendosura nga Perëndimi që mund ta shtyjnë Rusinë në recesionin më të thellë që nga fillimi i viteve 1990, kërcënojnë të krijojnë një trazirë ekonomike afatgjatë në vend.

Kjo mund të inkurajojë njerëzit të kenë më pak fëmijë.

“Me këtë konflikt të çmendur, Putin-i po qëllon veten. Humbjet më të mëdha nuk do të vijnë nga konflikti, por nga një krizë e thellë ekonomike në Rusi”.

Kështu ka thënë Ilya Kashnitsky, asistent profesor në Qendrën Ndërdisiplinore për Dinamikën e Popullsisë në Danimarkë.

Prej frikës, muajin e kaluar, Rusia i përjashtoi punonjësit e rinj në sektorin e teknologjisë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, duke u ofruar norma të favorshme hipotekore dhe duke i çliruar kompanitë e IT-së nga tatimi mbi të ardhurat dhe inspektimet.

Ishin shpresat se sektori i teknologjisë do të përshpejtonte zhvillimin ekonomik dhe do të mbështeste rimëkëmbjen pas pandemisë.

Por që kur lufta shpërtheu, Rusia pa rëndesën në sektorin e teknologjisë.

Në katër javët në vijim, midis 50 mijë dhe 70 mijë punonjësve në sektor u larguan nga vendi.

Kurse 70 mijë deri në 100 mijë të tjerë mbase do të largohen në prill, sipas Sergey Plugotarenko, kreu i Shoqatës Ruse për Komunikimet Elektronike.

Sakaq, drejtuesi i divizionit ndërkombëtar të migracionit, Jean-Christophe Dumont, ka thënë se vëllimi i njerëzve që largoheshin nga Rusia më parë nuk kishte qenë një burim shqetësimi për qeverinë.

“Kjo situatë tani sigurisht po e ndryshon lojën dhe një numër vendesh po e shfrytëzojnë mundësinë”, ka vijuar ai.

Izraeli ka krijuar një “rrugë të gjelbër” të shpejtë për refugjatët nga Ukraina dhe Rusia.

“Që nga fillimi i luftës, thuajse po aq rusë sa ukrainas janë zhvendosur në Izrael”, ka treguar Dumont.

Dhe se Izraeli po synon njerëzit që punojnë në robotikë, aeronautikë dhe nanoteknologji.

Rusia po humbet shumë nga të arsimuarit. Edhe prej pandemisë.

Më shumë se një milion njerëz vdiqën në Rusi midis marsit 2020 dhe janarit 2022. Çka rezulton ndër nivelet më të larta të vdekshmërisë së tepërt të çdo vendi në botë.

Mosbesimi i thellë ndaj vaksinave të prodhuara në vend është përmendur gjerësisht si arsyeja për marrjen e ulët të tyre.

Sipas Dumont, refuzimi i qeverisë për të përhapur vaksinat mRNA në favor të vaksinave më pak efektive në vend, ka kontribuar te emigracioni.

Nga ana tjetër, ndikimi ekonomik i sanksioneve ka të ngjarë të përkeqësojnë trendin themelor të rënies së normave të lindshmërisë për vitet në vijim.

Ekonomistët kanë frikë se të ardhurat mund të bien me 12 deri në 15 për qind.

“Nuk shoh shumë mbështetje nga kjo qeveri”, ka thënë Elina Ribakova, ekonomiste për Institutin e Financave Ndërkombëtare në Washington.

“Ata do të fokusohen në rindërtimin e rezervave, rindërtimin e tamponëve, pastaj shpenzimet ushtarake”, ka shtuar ajo.

Dekada pas rënies së Bashkimit Sovjetik u shënua nga një rënie e madhe e lindjeve.

Si rezultat, ka relativisht pak rusë në fillim të të njëzetave dhe të tridhjetave, gjë që parashikon një rënie të mëtejshme të popullsisë teksa ky brez arrin vitet e para të lindjes së fëmijëve.

Rënia ekonomike e shkaktuar nga lufta do të ndihet në shkallën e lindshmërisë, drejt fillimit të vitit të ardhshëm.

Kjo do të thotë se Putin-i, përmes pushtimit që urdhëroi, ka të ngjarë të ketë thelluar krizën afatgjatë demografike të cilës i frikësohej.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore