Sport

Luçie Gjini për Albanian Post: Kam refuzuar oferta nga jashtë për Vllazninë


Sërish kampione të kampionatit të femrave, duke marrë kështu titullin e tetë, katër javë para përfundimit të tij.

Skuadra e Vllaznisë për femra, pa dyshim, është ekipi më i mirë në Shqipëri për këtë lloj kategorie, pa dashur t’i heqim meritat asnjë skuadre tjetër, çka e bën më të bukur dhe më konkurruese garën.

Por, shkodranet kanë merita absolute për një supersezon të suksesshëm që kanë zhvilluar përgjatë edicionit 2020-2021.

Për Albanian Post (AP) një nga lojtaret më të spikatura të ekipit shkodran, Luçie Gjini, rrëfen sesi nisi gjithçka për të dhe, mbi të gjitha, sa e lumtur ndihet për triumfin e skuadrës ku ajo është pjesë.

Durrsakja do ta niste karrierën e saj futbollistike si mesfushore, në qytetin e lindjes, në një nga shkollat më të njohura të futbollit në vend, “Mjeshtëria Sportive e Durrësit”.

Tanimë, ajo ka gati 10 vite që luan për ngjyrat kuqeblu. Në vijim, futbollistja shprehu kënaqësinë e saj për trofeun e fituar me meritë të plotë nga ekipi që përfaqëson.

“Ky vit ka qenë ndryshe nga viti i shkuar, për shkak të pandemisë”, theksoi mesfushorja e Kombëtares shqiptare.

“Megjithatë”, tha ajo, “ne ia kemi dalë mbanë, duke qenë kampionet sërish. Dhe kjo me një diferencë pikësh (12 pikë nga vendi i dytë), që mbahet nga Apolonia e Fierit”.

Në 22 ndeshje ekipi kuqeblu arriti të shënonte 160 gola dhe pësuar shtatë të tillë.

Golashënuese, pa dyshim, ka qenë edhe Gjini, për të cilën ka pak rëndësi. Ajo thotë se “me rëndësi është mënyra e të luajturit, që na çon te fitoret e shumta që kemi”.

Objektivi i radhës, “paraqitje dinjitoze në Kupat e Evropës”

Në vijim, lojtarja tregon se cilat ishin objektivat e ekipit dhe se tashmë ato janë në pritje të ekipit, me të cilin do të përballen në Ligën e Kampioneve, përpara se të fillojnë përgatitjet.

“Ofertat e refuzuara, për Ligën e Kampioneve me Vllazninë”

Gjatë bisedës me AP-në, Gjini ka zbuluar se në rrugëtimin e saj i është dashur që të bëjë dhe disa zgjedhje.

Ndonëse nuk i kanë munguar ofertat nga vendet jashtë kufijve të Shqipërisë, nga klube të ndryshme, ajo i ka refuzuar. Kjo, për të arritur sa më shumë me klubin e Vllaznisë.

“Unë”, thotë ajo, “ndihem shumë mirë në këtë ekip. Ky është ekipi që më rriti në futboll dhe ëndrra ime është që po me këtë skuadër të arrij nivele sa më të larta dhe në Ligën e Kampioneve”, thotë mesfushorja me bindjen e plotë se do të arrijnë të bëjnë më mirë këtë sezon në Ligën e Kampionëve.

Mesfushorja tregon edhe një nga momentet që nuk i shqitet nga mendja, i cili ka qenë ndër më të bukurit me klubin e Vllaznisë, por që ka bërë krenarë shumë shqiptarë për ekipin shkodran.

“Momenti më i veçantë ka qenë kalimi i grupit në Ligën e Kampionëve, ku u bëmë pjesë e 32 ekipeve më të mira të Evropës, që ishte hera e parë që kualifikoheshim”, vijoi Gjini.

Në përmbyllje, ajo thotë se ndeshja më e veçantë ka qenë ajo ndaj ekipit turk, Alg Spor.

“Ishte hera e parë që ne luanim 120 minuta dhe me një lojtare më pak, arritëm të barazonim 3-3, duke fituar me penallti”, tha ajo duke kujtuar me nostalgji atë ditë të paharrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore