Sport

Lotito këmbëngul se nuk ka oferta nga Arabia Saudite për Immobile-n


Ditëve të fundit kanë qarkulluar zëra se Lazio kishte pranuar një “mega-ofertë” nga Arabia Saudite për yllin e tyre, Ciro Immobile-n.

Megjithatë, këto lajme i ka mohuar presidenti i klubit nga Roma, Claudio Lotito, duke thënë se “Immobile nuk është në shitje”.

Mediumi italian, “Sportitalia” raportoi të mërkurën se Lazio kishte marrë një ofertë prej 30 milionë euro nga një klub saudit për sulmuesin italian, ndërsa oferta për Immobile ishte 18 milionë euro në sezon.

Megjithatë, presidenti i klubit Lotito ka mohuar se Lazio ka marrë ndonjëherë një propozim zyrtar për yllin e tyre.

“Immobile nuk është në treg dhe klubi nuk ka marrë asnjë ofertë për të”, tha Lotito për “Il Corriere dello Sport”.

Në një intervistë të mëparshme, Lotito kishte pohuar se çmimi “minimal” i kërkuar për Immobile ishte 50 milionë euro.

Lazio tashmë këtë verë ka bërë tregti me Arabinë Saudite, duke e shitur Sergej Milinkovic-Savic në Al-Hilal për 40 milionë.

Kujtojmë që Immobile ishte një ndër lojtarët kryesorë të Lazio-s në vitet e fundit.

Klubi nga kryeqyteti italian përfundoi nënkampion i Italisë në sezonin e kaluar, pra do të marrin pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve.

Immobile është pjesë e Lazio-s që nga viti 2016 kur ishte transferuar nga Sevilla për shumën e 10 milionë eurove.

33-vjeçari deri më tani ka luajtur në 297 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Lazio-s, prej të cilave ka shënuar 196 gola dhe ka dhuruar 53 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore