Art&dizajn

Lokali, një nga sinagogat e humbura mesjetare?


Grupe arkeologësh po punojnë për të parë nëse një ndërtesë e braktisur e shekulli XIV, është pjesë e trashëgimisë së hebrenjve të larguar nga vendi i tyre.

Kjo ndërtesë qëndron afër një rrugice të ngushtë, në zemër të qytetit në Utrera të Spanjës.

Përgjatë shekujve, ajo i ka shërbyer qytetit andaluzian si një spital, një shtëpi për fëmijët e braktisur, një restorant dhe, në mishërimin e saj përfundimtar, si një lokal.

Sidoqoftë, para gjithë kësaj, ajo mund të ketë qenë sinagoga ku bashkësia hebraike dikur e madhe e Utrera-s, bëntë lutjet e saj, 500 vjet më parë.

Pas muajsh hulumtimesh dhe studimesh, një ekip ekspertësh të sjellë nga këshilli i qytetit kanë filluar kërkimet për atë që mund të jetë një nga sinagogat më të mëdha mesjetare të mbijetuara.

Bashkia e Utrera-s
Historiku

Referencat për në tempullin e humbur kthehen në fillim të shekullit të XVII-të.

Në historinë e tij në 1604, Rodrigo Caro, një prift, historian dhe poet vendas, përshkroi një zonë të qendrës së qytetit siç kishte qenë në shekujt e hershëm, duke shkruar se, “Në atë vend, kishte vetëm njerëz të huaj dhe hebrenj, të cilët kishin sinagogën e tyre aty ku tani qëndron spitali.”

Spitali u themelua në 1492, në të njëjtin vit në të cilin hebrenjtë e Spanjës u dëbuan nga mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Isabella, pas një shekulli persekutimesh.

“Kjo është përmendja e parë që kemi,” tha Miguel Ángel de Dios, një nga arkeologët që po punon në projekt.

Ndërtesa iu ka mbijetuar viteve sepse ka qenë gjithmonë në përdorim.

Prona, e cila kishte qëndruar e braktisur për dy dekada para se të blihej nga këshilli i qytetit në 2018-n, është ndryshuar shumë herë gjatë jetës së saj të gjatë dhe eklektike.

Struktura e ndërtesës

“Ne kemi dalluar tre faza të ndryshme në ndërtesë dhe kemi identifikuar muret e dyshemetë, që do të shqyrtojmë për të provuar ekzistencën e sinagogës”, tha De Dios.

Siti ka mure që përshtaten, mure që nuk përshtaten dhe disa gjëra të çuditshme, të tilla si lartësi të ndryshme midis asaj që është brenda dhe asaj që është jashtë.

De Dios, i cili po punon me arkeologun tjetër Rocío López Serena dhe arkitektin Antonio Jaramillo, tani po kërkon për prova për të vërtetuar historinë e sinagogës.

Që kjo ndërtesë të jetë e tillë duhet të  ketë gjëra që janë gjithmonë në një sinagogë, ashtu si ka gjëra që i gjen gjithmonë në një kishë ose xhami.

Por De Dios është realist dhe dyshues për disa nga pretendimet e bëra në lidhje me sinagogën ende të pazbuluar.

“Unë do të isha shumë i kujdesshëm në lidhje me çdo fjalë sepse nëse është kështu,  kjo i bie të jetë sinagoga e dytë më e madhe e mbijetuar në Spanjë”, theksoi ai.

Reagimet mbi zbulimin

Kryetari i bashkisë së Utrera-s, José María Villalobos, tha se zbulimi i sinagogës mund t’i sjellë qytetit përfitime kulturore dhe ekonomike.

Kërkimi për sinagogën vjen mes asaj që De Dios e sheh si një përpjekje më të gjerë, për të lidhur Spanjën me të kaluarën e saj hebraike, dhe për të parë ndikimin që ajo kishte në trashëgiminë historike dhe arkeologjike..

Për 26 vitet e fundit, një grup qytetesh në të gjithë Spanjën, kanë kërkuar të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë historike, kulturore dhe arkitektonike të hebrenjve.

Në vitin 2015, parlamenti i Spanjës miratoi një ligj që ofron shtetësinë për pasardhësit e hebrenjve të dëbuar në 1492. Kjo vjen si një përpjekje për të shlyer atë që qeveria e atëhershme e quajti një “gabim historik”.

Isaac Benzaquén, presidenti i Federatës Spanjolle të Komuniteteve Hebreje, tha se zbulimi i sinagogës, nëse konfirmohet, do të jepte “një gjurmë tjetër të bashkëjetesës së gjatë dhe intensive” që mori fund në 1492.

Zbulime të tilla, shtoi ai, “tregojnë pasurinë shoqërore dhe kulturore të së kaluarës së Spanjës, ndërsa gjithashtu i tregojnë komunitetit hebre rrënjët e thella të kulturës sonë në këtë vend”.

Dëbimi i hebrenjve nga Spanja e 1492-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore