Sport

Lojtarët që rrezikojnë ta humbasin finalen e Kupës së Italisë


Kupa e Italisë ka ardhur në fazën finale, ku këtë të mërkure dhe të enjte do të mësohen dy skuadrat finaliste.

Pra, dy gjysmëfinalet e dyta do të zhvillohen këtë mesjavë, ku pa dyshim më interesantja do të jetë ajo mes Inter-it dhe Juventus-it që do të zhvillohet sonte (e mërkure) me fillim nga ora 21:00, kurse gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet nesër mes Fiorentina-s dhe Cremonese-s.

Nga dueli i sotëm mes Inter-it dhe Juventus-it janë  nëntë lojtarë që në rast se ndëshkohen me kartonë të verdhë do ta humbasin finalen.

Gjashtë janë të zikaltërve: Marcelo Brozovic, Joaquin Correa, Robin Gosens, Lautaro Martinez, Romelu Lukaku dhe Andre Onana.

Ndërsa tre lojtarë të Juve-s rrezikojnë: Danilo, Fabio Miretti dhe Mattia Perin.

Kurse në ndeshjen e nesërme te Fiorentina rrezikojnë: Sofyan Amrabat dhe Lucas Martinez Quarta.

Ndërsa Cremonese është klubi që ka më së shumti lojtarë të ndëshkuar me të verdhë: Cyriel Dessers, Alex Ferrari, David Okereke, Soualiho Meite, Giacomo Quagliata, Emanuele Valeri dhe Johan Vasquez , plus trajnerin e tyre Davide Ballardini.

Ndryshe nga sa ndodh në kompeticionet evropiane, kartonët e verdhë nuk skadojnë me përfundimin e çerekfinaleve në Coppa Italia.

Kujtojmë që ndeshja e parë mes Juventus-it dhe Inter-it përfundoi me rezultat 1:1, pra gjithçka do të jetë e hapur.

Ndërsa çerekfinalja e parë mes Cremonese-s dhe Fiorentina-s përfundoi në të mirë të këtyre të fundit me shifrat 0:2, pra klubi viola me një këmbë është në finale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore