Shqipëria

Llalla/ Dhe ‘peshkimi’ fillon…


“Ka ardhur koha të hamë peshkun e madh”.

Kështu do të deklaronte Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, në vitin 2018, gjatë prezantimit të Operacionit Forca e Ligjit, asistuar nga agjentë të Byrosë Federale të Hetimit. Një strukturë paraprirëse e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Tre vjet më vonë, edhe pse e ftohtë, është servirur në rekordet e drejtësisë “pjata e parë e peshkut të madh në Shqipëri” – ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky i fundit është dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Një vendim që vjen një ditë pas shpalljes non grata në SHBA, të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Vetë Llalla, ishte shpallur non grata për SHBA-të në nëntor të vitit 2019.

Ku fillon rrjedha e ish-kryeprokurorit drejt rrjetës së drejtësisë?

Adriatik Llalla ishte i përzgjedhuri i Kuvendit nën qeverinë Berisha 2, për të marrë postin e lartë të kryehetuesit në Shqipëri. Më 3 dhjetor 2012, ai votohet në Parlament dhe merr postin e lartë, atë të kryeprokurorit.

Përtej akuzave politike, gjithçka tjetër do të ishte e qetë në jetën e Llallës. Por, gjashtë vjet më vonë, në mars të 2018-ës, telashet me drejtësinë shqiptare filluan për të.

Hetimi për pastrimin e parave, do të ishte akuza ndaj zyrtarit të lartë shqiptar!

Pikërisht amerikanët – të cilët e kishin shpallur Llallën non grata prej pak kohësh – do të bënin kërkesë për të ndihmuar me fakte Prokurorinë Shqiptare. SHBA-të treguan disponibilitet në vënien në gatishmëri të provave që kishin mbi Llallën për hetim të pasurisë.

Çështja do të mbetej pasive në sytë e opinionit publik, por do të rikthehej vendosmërisht dy vjet më vonë. Këtë herë, nën diktatin e Prokurorisë së Posaçme të sapokrijuar, SPAK.

Tre raste të fshehjes së pasurisë në kufi, do të ishin në vëmendje të veçantë të SPAK-ut. Baza ligjore do të bazohej edhe në hetimet paraprake të zhvilluara.

Ky ishte edhe sinjali i parë ndaj një “peshku të madh”, nga drejtësia e re shqiptare, e cila shihte pas një kontribut shumë të rëndësishëm dhe të vendosur nga SHBA-të.

Mos harro listën e zezë!

Hapat e SPAK-ut do të ishin të vendosura në bazat ligjore dhe kushtetuese të Shqipërisë.

Çështja u zhvendos në replika në distancë midis Llallës dhe ish-ambasadorit amerikan, Donald Lu.

Vetingut nga ana tjetër, kryehetuesi i dikurshëm shqiptar, i shpëtoi. Vendim ky, i cili ngjalli diskutime të shumta politike. Ndër to, edhe akuza për dështimin e reformës në drejtësi.

Por, në korrik të vitit 2018, disa prona të Llallës do të sekuestroheshin nga Krimet e Rënda. Ndër to, 1 miliard lekë pasuri dhe disa pasuri të paluajtshme në Tiranë e Durrës.

Shpresa u pa sërish në fund të tunelit, se drejtësia do të hidhte grepin më në fund për “peshqit e mëdhenj”.

Pikërisht rikthimi që SPAK-u do t’i bënte çështjes, do të ishte vendimtar për fatin e Llallës.

“Vetëm një kujtesë se ky emërtim mbetet në fuqi”.

Kështu do të shkruante ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, në një postim në Twitter në nëntor të vitit 2020, duke i bashkëngjitur vendimin e ish-Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, për shpalljen non grata të Llallës.

Dhe “peshkimi” fillon…

Në peripecitë që do të kalonin hetimet gjatë gjithë këtij harku kohor trevjeçar, viti 2021, do të ishte ai përcaktues për fatin e kryeprokurorit.

Kërkesa nga SPAK-u ishte e qartë – dy vjet burg dhe pesë vjet heqje të drejte për të ushtruar funksione publike. Akuza? Ajo e përhershme: Fshehje dhe mos deklarim e pasurisë.

Pikërisht sot, më 20 maj, kjo akuzë pranohet nga Gjykata. Adriatik Llalla, ish-kryeprokuror i Shqipërisë, është zyrtarisht i dënuar me objektin e kërkesës nga SPAK-u.

Tre vjet pas deklaratës së ambasadorit Lu, kemi realisht peshkun e parë të rënë në rrjetën e drejtësisë shqiptare.

Një drejtësi, e cila me mbështetje kaq të fuqishme nga SHBA-të, pritet të shtojë oreksin – duke pasur parasysh edhe fillimin zyrtar të punës së BKH-së.

Pas tre viteve peshkim, ai i vërteti, sapo filloi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore