Shqipëria

Liria e medias, akuza e kundërakuza mes Spiropalit dhe Berishës


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Sali Berisha ka mbyllur çdo shteg të Partisë Demokratike dhe opozitës.

Sipas saj, fitorja e tij dje është një rrugë qorre që nuk të nxjerr askund.

“Ne e dimë se ti këtë ke bërë për veten dhe familjen”, tha Spiropali.

Ajo ka theksuar se Berisha është kundërshtari më i mirë për mazhorancën.

“Doktor mendon se je zgjedhur dje në krye të PD-së? Në fakt ngjan si një rrugë qorre që ngado që t’i biesh në fund të nxjerr askund. Ke marrë me vete dhe ata të gjorë që të ndjekin, i ke mbyllur çdo rrugë PD-së”.

Sa u përket akuzave të ish-kryeministrit për lirinë e mediave, Spiropali tha se nuk i takon një personi që njihet për “dhunim të medias” të flasë për këtë.

Ajo e akuzoi Berishën, si dezinformues dhe tha se po përdorin paratë e krimit për të ndotur mjedisin mediatik.

Nga ana tjetër, Berisha e ka akuzuar Spiropalin për abuzime me fondet publike.

Sipas tij, bashkëshorti i saj i ka dhënë një tender vëllait të Spiropalit – duke e favorizuar në mënyrë të padrejtë.

Berisha foli në Kuvend edhe për raportin e AMA-s.

Ai tha se Rama dhe “peng Basha” emëruan njerëzit e tyre të besuar në krye të institucionit. Ndër të tjera e cilësoi AMA-n institucion censure që duhet të jetë më i pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore