Lajme

Ligji për Pagat, Nagavci: Punëtorët e arsimit do të trajtohen dinjitetshëm


Arbërie Nagaci

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se me Ligjin e miratuar për Pagat, janë ngritur koeficientët në të gjitha katergoritë e arsimit parauniversitar.

“Dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë”, theksoi Nagavci.

Ajo potecoi se “padrejtësistë” ndaj punonjësve të sektorit të arsimit që sipas saj ishin bërë me Ligjin e kaluar, tani janë eleminuar.

Tutje, ministrja ka listuar disa nga dallimet e Ligjit të miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës dhe atij të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Në ligjin për paga të anuluar nga Kushtetuesja, drejtorët e shkollave të mesme të lartë kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës, 29 përqind ndërsa me Ligjin e ri, janë 35 përqind e koeficientit më të lartë”.

“Drejtorët e shkollës fillore dhe të mesme me ligjin e shfuqizuar kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës, 27 përqind ndërsa me Ligjin e ri janë 34.4 përqind. Drejtorët e institucioneve parashkollore, kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës, 25 përqind kurse me Ligjin e ri janë 32.8 përqind”.

Sa i përket mësimdhënësve të shkollës së mesme të lartë, të cilët kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës, pra në 26 përqind, Nagavci nënvizoi se “me Ligjin e ri janë 32.2 përqind”.

“Mësimdhënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës, 24.5 përqind ndërsa me Ligjin e ri janë 31.1 përqind”, shtoi ajo.

Ndërkaq, edhe punonjësit tjerë në sektorin e arsimit si psikologët/pedagogët, të cilët më parë ka kanë qenë të ranguar në vlerën e koeficientit më të lartë të pagës 23 përqind, tash me Ligjin e ri janë 31.7 përqind.

“Ky trend i ngritjes në pozicionim të nënpunësve të sektorit të arsimit është evident në të gjitha kategoritë e nënpunësve të arsimit parauniversitar”, përfundoi ajo.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër e kanë votuar Ligjin për pagat në sektorin publik të enjtën e 22 dhjetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore