Lajme

Libia emëron ambasadorin në Katar, pas 6 vitesh ndërprerje


Ambasadori i ri libian në Doha të Katarit, Mohamed Al-Lafi

Libia ka emëruar ambasadorin e saj në Katar për herë të parë në gjashtë vitet e fundit.

Mohamed Al-Lafi, nga qyteti Al-Zawiyah në perëndim të Libisë, është ambasadori i ri në vendin e Gjirit.

Al-Lafi ka qenë delegat në Forumin e Dialogut Politik Libian të sponsorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) që nga viti 2020, i cili kontribuoi në formimin e autoritetit aktual të përkohshëm ekzekutiv në Libi.

Ambasadori i ri libian më parë ka mbajtur poste të ndryshme qeveritare si shefi i kabinetit të Këshillit të Lartë të Shtetit dhe nënsekretari i Ministrisë së Pushtetit Vendor.

Kurse në muajin korrik të vitit të kaluar, Katari kishte emëruar Khaled Al-Dosari, ambasador në Libi. Kjo kishte ndodhur për herë të parë që nga viti 2014, pas mbylljes së ambasadës së saj në vazhdën e shfaqjes së administratave rivale në vendin e trazuar.

Kurse Libia që nga tetori i vitit 2016 nuk ka pasur ambasador në Doha të Katarit.

Libia po përjeton një përçarje të thellë politike pasi parlamenti me bazë në Tobruk të enjten i dha besim një qeverie të re të kryesuar nga ish-ministri i Brendshëm, Fathi Bashagha, ndërsa Abdul Hamid Dbeibeh, këmbëngul të vazhdojë me postin dhe detyrat e tij si Kryeministër.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi ligjin zgjedhor dhe rolin e gjyqësorit në procesin zgjedhor, nuk u bë e mundur mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për 24 dhjetor të vitit 2021.

Abdul Hamid Dbeibeh

Qeveria e Dbeibeh paralajmëroi se do ta konsideronte çdo përpjekje për të sulmuar selinë e saj si një “sulm kundër qeverisë”.

Dbeibeh erdhi në pushtet bazuar në rezultatet e Forumit të Dialogut Libian që caktoi mandatin e autoritetit ekzekutiv kalimtar në 18 muaj, duke u zgjatur deri më 24 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore