Lajme

Lëvizja Fol: BQK-ja na ndaloi ta monitorojmë procesin e rekrutimit të guvernatorit


Ilustrim

Organizata jo-qeveritare, Lëvizja Fol, e cila merret me promovimin e politikave dhe praktikave të qeverisjes së mirë, përmes një komunikate për media, ka për të ditur se të shtunën zyrtares së saj i është mohuar prezenca në procesin e intervistimit të kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, për arsye se kjo e fundit ka refuzuar të nënshkruaj një deklaratë të konfidencialitetit.

Në këtë komunikatë ndër të tjera thuhet se sekretari i panelit intervistues ka kërkuar nga zyrtarja e lëvizjes që ta nënshkruante deklaratën dhe në momentin që ajo ka refuzuar të nënshkruajë, asaj i është pamundësuar monitorimi.

Sipas Lëvizjes nënshkrimi i deklaratës së konfidencialitet do të detyronte organizatën që vlerësimin e saj për këtë proces të mos publikonte askund pa lejen e kryesuesit të panelit.

“Ne konsiderojmë që përdorimi i Deklaratave të Konfidencialitetit në proceset e rekrutimit për pozita publike është praktikë që shkatërron transparencën dhe rrjedhimisht besimin në institucione publike. Ne nuk mund të lejojmë që për të ndarë vlerësimet tona për procese të natyrës publike të kërkojmë leje nga institucionet publike”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Kushtëzimi i organizatave jo-qeveritare me nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit, sipas Lëvizjes Fol, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje flagrante të të drejtës së organizatave joqeveritare për të monitoruar dhe për të kërkuar llogari nga institucionet që ushtrojnë funksion publike.

Në fund, Lëvizja Fol, ka vlerësuar se pengimi i monitorimit është bërë për të mbajtur të fshehur nga publiku procesin më të rëndësishëm të rekrutimit në sektorin financiar dhe bankar dhe një qasje e tillë, sipas tyre, lë hapësirë për dyshime rreth këtij procesi.

“Lëvizja FOL ka kundërshtuar përdorimin e Deklaratave të Konfidencialitetit në disa procese të rekrutimit dhe do të vazhdojë t’i kundërshtojë ato duke mos i nënshkruar. Guvernatori i ardhshëm i Kosovës do të jetë një person që BQK-ja e ka përzgjedhur në një proces jo transparentë dhe të dyshimtë”, përfundon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore