Lajme

Letrat e Trump-it në Mar-a-Lago, mbanin sekrete të SHBA-ve për Iranin dhe Kinën


Disa nga dokumentet e klasifikuara të gjetura nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) në shtëpinë e ish- presidentit të SHBA-ve,  Donald Trump, në Mar-a-Lago përfshinin informacione në lidhje me Iranin dhe Kinën.

“Nëse ndahet me të tjerët, një informacion i tillë mund të ekspozojë metodat e mbledhjes së inteligjencës që Shtetet e Bashkuara duan t’i mbajnë të fshehta nga bota”, thanë ekspertë lidhur me këtë çështje, të cilët të cilët folën në kushte anonimati për prestigjiozen “Washington Post”.

Të paktën një nga dokumentet e sekuestruara nga FBI-ja përshkruan programin raketor të Iranit.

“Vende të tjera kundërshtarë të SHBA-ve mund të hakmerren kundër tyre, për veprimet që ato kanë ndërmarrë në fshehtësi”, shtojnë më tej ata.

Dokumentet sekrete për Iranin dhe Kinën konsiderohen ndër më të ndjeshmet që FBI ka gjetur deri më sot në hetimin ndaj Trump-it dhe ndihmësve të tij.

Ish-presidenti ka mohuar akuzën për mbajtje e dokumenteve në Mar-a-Lago, duke pretenduar në një intervistë të fundit televizive se ai deklasifikoi çdo dokument që posedonte.

Disa nga materialet më të ndjeshme u gjetën gjatë kontrollit të miratuar nga gjykata të FBI-së në shtëpinë e Trump-it më 8 gusht.

Aty u sekuestruan rreth 13 mijë dokumente, 103 prej tyre të klasifikuara dhe 18 prej tyre tepër sekrete, sipas shkresave të gjykatës.

”Washington Post” ka raportuar më parë se një nga dokumentet e sekuestruara në kërkimin e FBI-së përshkruan mbrojtjen ushtarake të një vendi të huaj, duke përfshirë aftësitë e tij bërthamore.

Gjithsesi nuk është konfirmuar se dokumentet kanë të bëjnë me Iranin, Kinën apo ndonjë komb tjetër.

Njerëz të njohur me këtë çështje thanë se shumë nga dokumentet e fshehta që Trump-i ose ndihmësit e tij i çuan në Mar-a-Lago pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, janë dokumente analize të nivelit të lartë që nuk përmbajnë emra burimesh.

Disa nga dokumentet e sekuestruara detajojnë operacionet top-sekrete të SHBA-ve të ruajtura aq ngushtë sa që shumë zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare nuk janë të informuar për to, raportoi “The Post” në shtator.

Në Shtëpinë e Bardhë të Trump, të dhënat e klasifikuara keqpërdoreshin vazhdimisht.

Kjo sipas ish-ndihmësve të Trump-it.

Gjithashtu ish-zyrtarë të inteligjencës thonë se rreziku vinte nga heqja e materialeve shumë të klasifikuara nga ndërtesat qeveritare të mbrojtura rreptësishtë dhe mbajtja e tyre në një klub privat.

Trump-i dhe mbështetësit e tij e kanë hedhur poshtë hetimin penal duke e konsideruar si një përpjekje për të dëmtuar ish-presidentin.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Drejtësisë, Jay Bratt, u shkroi avokatëve të Trump për t’u kujtuar atyre se Mar-a-Lago “nuk është një vendndodhje e sigurt dhe e autorizuar për ruajtjen e informacionit të klasifikuar”.

“Dokumentet e klasifikuara nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur dhe janë ruajtur në një vend të përshtatshëm. Ne kërkojmë që dhoma në Mar-a-Lago ku ishin ruajtur dokumentet të sigurohet dhe të gjitha kutitë që u zhvendosën nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago, të ruhen në atë dhomë në gjendjen e tyre aktuale deri në një njoftim të dytë”, shtoi me tej Bratt.

Agjentët vazhduan të mbledhin prova se Trump-i nuk po përmbushte as kërkesat e qeverisë dhe as kërkesat e thirrjes.

Sipas njerëzve të njohur me hetimin, pamjet e kamerave të sigurisë treguan kuti që po barteshin nga zona e magazinimit pas lëshimit të thirrjes së majit dhe një dëshmitar kyç i tha FBI-së se ai i zhvendosi kutitë me udhëzimin e Trump-it.

Me këto prova në dorë, Departamenti i Drejtësisë vendosi të kërkonte miratimin e një gjyqtari për të kontrolluar shtëpinë e ish-presidentit.

Trump-i në një intervistë për  “Vox News” ka pohuar se si president, mund të deklasifikonte informacionin pa asnjë dokument.

“Nuk duhet të ketë një proces, nëse je presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mund të deklasifikosh vetëm duke thënë se është i deklasifikuar. Ju jeni presidenti, ju e merrni atë vendim”.

FBI ka gjetur “materiale shqetësuese” në rezidencën e Trump

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore