Lajme

Lekaj: Plani franko-gjerman zgjidh probleme, por Kurti e bllokoi me targa


Pal Lekaj

Për deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, plani franko-gjerman do të zgjidhte shumë çështje mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, kryeministri Albin Kurti e bllokoi me vendimin e shkallëzuar për targat.

“Çështjet që mund të zgjidheshin përmes atij plani, pa rrezikuar as marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë, as ngecjen e dialogut për marrëveshjen finale me Serbinë, as nxjerrjen e veriut jashtë institucioneve të Kosovës, janë nxjerrë nga qeveria Kurti jashtë propozimit”, ka thënë Lekaj për Albanian Post duke shtuar se lëvizjet e kreut të qeverisë “kanë sjellë si pasojë edhe kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ai vlerëson se tani presioni do të bie mbi Kosovën dhe siç thekson ai, do të duhet një rrugë e gjatë për ta rikthyer situatën në binarët e shtetit të krijuar me mbështetjen e Perëndimit.

“Kurti e ka vënë Kosovën në një situatë shumë delikate, duke bërë që pas më shumë se dy dekadash, presioni ndërkombëtar të fokusohet tek Kosova, jo tek Serbia. Veprimet e pamatura të Kurtit bënë që Serbia të realizojë planin e saj për t’u dukur para Perëndimit si ‘demokratike, konstruktive dhe e matur’”, shtoi Lekaj.

Deri më tani propozimi është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Ndryshe, Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht propozim – marrëveshjen që është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Dokumenti ka gjithsejtë nëntë nene dhe ato kryesoret janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.

Përmes tekstit të AP-së shpjegohen edhe disa nga dinamikat që kanë ndodhur ose mund të ndodhin në hap e sipër.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore