Bota

Legalizohet aborti në Argjentinë


Kongresi i Argjentinës ka legalizuar abortet deri në javën e 14-të të shtatzënisë.

Senatorët votuan në favor të projektligjit me 38 vota pro, 29 kundër dhe një abstenim.

Kalimi erdhi dy vjet pasi Senati e  refuzoi legalizimin e abortit.

Projekt-ligji ishte miratuar me 11 dhjetor nga Dhoma e Deputetëve,  mbështetur nga Presidenti Alberto Fernández i cili e paraqiti propozimin më herët “për të garantuar që të gjitha nënat kanë qasje të njëjtë në kujdes shëndetësor”.

Në Argjentinë aborti lejohej vetëm për rastet e përdhunimit dhe kur rrezikohet jeta e nënës.

Analizat shëndetësore tregojnë se çdo vit në vend kryhen 370 mijë deri në 520 mijë aborte klandestine.

Çështja e legalizimit të abortit në Argjentinë ka qenë një ndër debatet kryesore që nga viti 2018, ku janë zhvilluar protesta masive  pro dhe kundër legalizimit.

Protestuesit kundër legalizimit abortit kanë qenë më të paktë në numër.

Kisha Katolike e ka kundërshtuar këtë lëvizje duke i bërë thirrje senatorëve ta refuzojnë projektligjin./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore