Lajme

“Le Monde” për çështjen “Klan Kosova”: Kurti ka marrë një kthesë autoritare


Albin Kurti

Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’ia hequr licencën e biznesit televizionit më të madh privat në vend “Klan Kosova”, ka nxitur të përditshmen franceze “Le Monde” t’i kushtojë një artikull kësaj çështjeje që është bërë temë diskutimi jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Në artikullin e gazetarit francez, Jean-Baptiste Chastand, i cili titullohet: “Në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, akuzohet për lëvizje autoritare”, thuhet se ky veprim i ekzekutivit kosovar shkaktoi tronditje në një vend që paraqitet si “më demokratiku i Ballkanit Perëndimor” dhe që ende ruan një peizazh mediatik të rrallë për rajonin.

“Klan Kosovës po i ecën koha. Kanalit të parë privat televiziv të Kosovës, që ka të punësur 230 njerëz, mund të detyrohet të ndalojë së transmetuari së shpejti, nëse vendimi i 14 qershorit prej Ministrisë së Tregtisë për t’i hequr certifikatën e biznesit mbetet në fuqi”, shkruan prestigjiozja franceze.

Ndër të tjera, gazeta franceze e konsideron kryeministrin Kurti si “një nacionalist të majtë”, politika e të cilit, sipas asaj çfarë thuhet në këtë artikull, ka marrë “një kthesë autoritare” që nga rritja e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“Pothuajse të gjitha kanalet private të vendit kanë treguar gjithashtu solidaritetin e tyre duke transmetuar një mesazh në një sfond të zi me shprehjen ‘demokracia vdes në errësirë’, që në vitin 2017 ishtë bërë slogani zyrtar i të përditshmes amerikane The Washington Post”, kujton e përditshmja franceze.

Ndryshe edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e licensës për televizionin “Klan Kosova” e ka quajtur “turp” dhe “akt arbitrar që e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare”.

“Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës. Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik”, ka thënë Gutierrez.

Qeveria e Kosovës pati iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj “Klan Kosovës” dhe ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit. Arsyeja e pezullimit është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore