Lajme

LDK: Qeveria Kurti e kapi bordin e AKP-së


Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për propozimin e kandidatëve për Bord të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

LDK ka thënë se Qeveria Kurti në vazhdën e kapjes së institucioneve të pavarura, kapi me militantë partiak edhe bordin e AKP-së, e që sipas kësaj partie të njëjtit institucion i’a paralajmëruan shuarjen.

“Në vend të shuarjes, gjithsesi, vendosën në Bord të ri, këtë herë militantë partiak. Së paku tre anëtarë të rinj të Bordit janë anëtarë partiak të Qeverisë së Vetëvendosjes; dy nga të cilët ish kandidatë për deputetë; të cilët kishin dështuar paraprakisht të zgjedhën” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiak, përveç se është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar.

“Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë. Ftojmë Kuvendin e Kosovës, të refuzojnë kapjen. Ftojmë organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare të ngrisin zërin kundër dukurive të tilla”, thuhet në reagimin e tyre.

Kryeministri Albin Kurti në fushatë dhe pasi mori drejtimin e Qeverisë, ishte zotuar për shuarjen e AKP-së.

Pas shkarkimit të përbërjes së vjetër të bordit, ai kishte thënë se duhet një bord i ri për të përgatitur procesin e shuarjes.

“AKP-ja duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet fondi Sovran. Nuk mundemi edhe Agjenci të Privatizimit edhe Fond Sovran. Në zgjedhje ka fituar Fondi Sovran, në zgjedhje ka fituar Banka zhvillimore, prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. E për ta shuar AKP-në duhet ta shkarkojmë Bordin e AKP-së”, kishte thënë Kurti më 27 maj në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, në seancën e të mërkurës kryeministri Albin Kurti, ka miratuar propozimin e kandidatëve të rinj për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Emrat e propozuar dhe miratuar nga Qeveria për anëtarë të këtij bordi janë Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së, duke shtuar se pas aprovimit të këtij propozimi, vendimi bashkë me biografinë e këtyre kandidatëve i procedohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 23 mars të vitit 2020 kishte marrë vendim për pezullimin e pa afat të të gjitha veprimeve në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kurse më një korrik të po të njëjtit vit, ekzekutivi kishte anuluar vendimin paraprak, ndërsa kishte kërkuar që të mos shpallen valë të reja të privatizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore